Dr. Florin Besimi në Gjermë: Kryeministrin shqiptar, e votojnë shqiptarët!

Në bastionin e BDI-së në lartësinë e bjeshkëve krenare, në Gjermë, sot, kandidati i BDI-së për Parlamentin e RMV, Dr. Florin Besimi, ka takuar qytetarët e kësaj ane, me ftesën të dalin në zgjedhje më 15 Korrik, dhe sigurisht, të votojnë Kryeministrin e parë shqiptar.

BDI kur e ka propozuar kandidatin për Kryeministër, oponenca e saj, e ka shikuar me habi. Nuk është hera e parë që habitet opozita shqiptare, sepse, janë habitur edhe kur për herë të parë u bënë shumë emërime të shqiptarëve në pozita të larta shtetërore, ne i porosisim, do të habieteni edhe shumë kohë, sepse, ju nuk keni as projekt, as platformë e as vizion, prandaj duhet t’i bashkoheni votës tonë për kryeministrin e parë shqiptar, ka cekur mes tjerash në debatin me qytetarët, dr. Florin Besimi.

Ai ka theksuar se vota në demokraci është gjithçka, çdo pushtet vendoset me votë, prandaj, shqiptarët e bashkuar, mund ta arrijnë këtë synim me interes nacional, ka cekur dr. Florin Besimi, duke shtuar se ne nuk do të ndalemi për të çuar përpara kauzat shqiptare, interesin nacional si dhe mirëqenien për të gjithë pa dallim.

Dr. Florin Besimi ka ftuar qytetarët të dalin të votojnë më 15 korrik, për veten, për shqiptarët, për Kryeministrin e parë shqiptar, për BDI-në, për numrin 9, sepse, ne kemi dëshmuar se fuqizimin e shqiptarëve dhe fuqizimin e shtetit, si dhe zbatimin e barazisë e kemi anën tonë të fortë.