Ekskluzive: Familja e hajnit që vrau policin në Istog flet për Express

Pak njerëz janë mbledhur në familjen Metaj në fshatin Shushicë të Istogut. Aty po mbahet e pame për Kamer Metajn që u vra një ditë më parë, pas përleshjes së armatosur që pati me policinë e Kosovës, ku dhe vrau njërin prej tyre. Familja e të ndjerit janë distancuar nga veprimet e djalit, ndërkaq, kanë thënë për Express se i kërkojnë falje familjes së policit të vrarë, duke shtuar se kushtet e Kamerit nuk ishin të këqija që ta çonin drejt vjedhjes.

Kamer Metaj kishte pak vite që ishte kthyer në Kosovë nga Gjermania. Nga aty, tashmë i ndjeri do të dëbohej pasi që paraprakisht kishte kryer 18 vite e gjysmë burg.

Sipas informacioneve që ka siguruar Gazeta Express, i ndjeri, vite më parë në shtetin Gjerman kishte kryer një vrasje, bëhet fjalë për vrasjen e gruas të tij, e për të njejtën vepër kishte vuajtur gati dy dekada burg. Me ty kthyer në Kosovë i njejti vazhdoi të merrej me biznes familjar, kishte hapur një dyqan e merrej me bujqësi.

Express gjatë ditës ka qëndruar në fshatin ku jetonte Kameri me familje në Shushicë të Istogut. Familjarët kanë pak fjalë për të ndjerin e u distancuan nga vepra e një dite më parë. Ata patën një mesazh për familjen e policit, Izet Demaj.

Kërkim falje kërkuan nga ta në ditën kur po pritnin të pame për personin që i mori Izetit jetën.

“I kërkojmë falje familjes së policit të vrarë, nuk kemi pas përshtypje asnjëherë që mundet me u marrë Kameri me këto gjana”, thanë ata.