Ekspert i ekonomisë Alaudin Zeqiri:Ndërmarrjet publike në Maqedoni thellojnë borxhet

Intervistë për: Radio Evropa e Lire

Ndërmarrjet publike në Maqedoni thellojnë borxhet

Alaudin Zeqiri, ekspert i ekonomisë, për Radion Evropa e Lirë thotë se përderisa themelues i ndërmarrjeve publike është Qeveria dhe njësitë e vetadministrimit lokalë, kjo bën që drejtuesit e këtyre institucioneve pa u shqetësuar të krijojnë borxhe ,sepse sipas klauzolës juridike, themeluesi është i obliguar të mbulojë borxhet ose në rast se ndërmarrja shënon saldo pozitive, që shumë rrallë ndodh, e merr benifitin në fund të vitit kalendarik.

“Derisa krijohen borxhe dhe ato vazhdojnë të mbulohen në mënyrë ta paligjshme nga ana e themeluesve, qoftë të jetë kjo Qeveria apo njësitë e vetadministrimit lokalë, bisedohet për shmangie të përgjegjësisë menaxheriale”
.Kjo çështje duhet të merret si parametër kryesor që kërkon zgjidhje. Duhet të hartohet një plan aksional që ndërmarrjet publike të mund të dalin nga borxhet në një situatë të zeros pozitive dhe pastaj të kërkohet që këto ndërmarrje të ecin nga saldoja pozitive, në të kundërtën duhet të përgjigjen drejtuesit pse gjërat kanë shkuar keq”, thotë Zeqiri.
Ndërkohë për vitin 2019 është hartuar buxheti më i madh në historinë e shtetit të Maqedonisë në vlerë prej 3.9 miliardë eurosh, nga i cili një pjesë e konsiderueshme është paraparë të shpenzohet për rritjen e pagave të punonjësve që marrin rrogë nga buxheti i shtetit.