Fabrika Vezë Sharri gjithnjë me shumë suksese, vizita e ministrit Bekteshi inkurajon pronarët

Ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi ka vizituar sot disa kompani të qytetit të Tetovës, për tu njohur nga afër me punën që bëjnë ata dhe për t`iu premtuar sërish përkrahjen e pa-rezervë të Qeverisë në drejtim të shtimit të kapaciteteve dhe shfrytëzimin të fondeve të brendshme por edhe fondeve evropiane. Gjatë vizitës që Bekteshi bëri në fabrikën Vezë Sharri të Tetovës, ku takoi edhe drejtuesin e kësaj kompanie Arben Abdurahmani, ai premtoi se Ministria e ekonomisë por edhe Qeveria do ti përkrah gjithnjë kompanitë vendore, me qëllim të shtimit të vendeve të punës dhe të përforcimit të ekonomisë në vendin tonë. Bektashi tha me këtë rast se, është kënaqësi të njihesh nga afër me kompanitë vendore, që janë bërë konkurrente në treg si brenda po ashtu edhe jashta Maqedonisë, dhe me këtë rast ka inkurajuar edhe kompanitë tjera që të investojnë dhe të zgjerojnë kapacitetet e tyre, duke shfrytëzuar lehtësimet që ua ofron Qeveria por edhe duke shfrytëzuar fonde nga mjetet e Ipardit, që në thirrjen e dytë të tyre, parashohin mbulimin e 50 për qindëshit të kapaciteteve investuese, sidomos për firmat bujqësore dhe ato që merren me prodhimtari.