Ganiu për 30 vjetorin e tifo grupit “Shvercerat”: Qoftë i pashuar zëri juaj i përkrahjes. Ju paçim gjithmonë në mesin tonë për të qenë zemra dhe shpirti i Shkupit tonë

“30 vjet rrugëtim i lavdisë, 30 vjet brohoritje të fuqishme për ti dhënë shpirt e zemër suksesit në fushëbetejën e vlerave sportive – këto janë SHVERCERAT TANË. Ky përvjetor i veçantë më sjell emocione të shumta, pasi një periudhë të gjatë kam ndjerë ngrohtësinë e përkrahjes së familjes së madhe të Shvercerave, kur isha trajner i ekipit të parë të parë të K.F. Shkupi, por edhe kur punoja në akademinë e të rinjve të klubit.

Në fitore, humbje e barazim kokat e shumë sportistëve të Çairit kanë qëndruar lartë sepse ju kanë pasur juve pas vetes. Falë jush stadiumi i Çairit ka qenë gjithmonë kështjellë e pamposhtur dhe vatër e lavdisë sportive të vendit. Nuk u larguat as atëherë kur K.F. Shkupi përjetoi çastet më të vështira. I qëndruat pranë për tu ringritur në majat e suksesit duke bërë revolucion të vërtetë të përkrahjes në çdo ndeshje të futbollit.

Qoftë i pashuar zëri juaj i përkrahjes. Ju paçim gjithmonë në mesin tonë për të qenë zemra dhe shpirti i Shkupit tonë.” – thotë Ganiu