Gjithçka gati për “Super Pro Fight Night – Uskana2”

Më 27 korrik në Kërçovë do të zhvillohet një spektakël i sporteve luftarake е dyta me radhë “Super Pro Fight Night – Uskana2”, ku do paraqiten emra të njohur shqiptar që do ndeshen në K1 si dhe do ketë dy ndeshje amatore, njëra në MMA ku Florim Zendeli do përballet  me serbin, Velickovic dhe tjetra në boks ku Mersim Zeqiri do kryqëzoj dorëzat me serbin, Vukasin Janjin. Organizator i galës sërish janë vëllezërit Burim dhe Mustafa Aliu që në vazhdim na dhanë disa informata bazë rreth asaj që do ndodh në këtë mbrëmje.

“Sivjet kemi parapa të zhvillojmë 12 ndeshje ku prej tyre 10 ndeshje janë në K1, një në MMA dhe një në boks. Dy ndeshje në K1 do jenë për titull bote “Top Combat Confederation” ku luftëtari me prejardhje nga Kosova por që jeton në Itali, Azdren Krasniqi do ndeshet me Muhamed Elmir (71kg), kurse ndeshja e mbrëmjes do jetë ndaj kërçovarit që jeton dhe vepron në Zvicër, Burim Aliu i cili do përballet me Kim Jensen (82.5KG) nga Norvegjia. Ndryshe mund të them lirisht se organizimi deri tani shkon mirë dhe e njëjta ka pas ndryshime nga ajo e vitit 2018 dhe mendoj se do shkoj gjithçka siç është më së miri”, pohuan nga stafi organizativ për portalin për sporte luftarake “ArenaRing”.

Sipas Burim Aliut, çmimi i tiketave do jetë 600 denarë (10euro) kurse ato VIP, 1200 denarë (20 euro). Aktiviteti në fjalë do të zhvillohet në palestrën sportive “Jancica” në Kërçovë kurse hapja e dyerve do jetë në ora 18:00, kurse përballjet fillojnë në ora 19:00.