Gruevski dy muaj në arrati, ende nuk dihet nëse dikush i ka ndihmuar për të ikur

Ish kryeministri Nikolla Gruevski, azilanti më i njohur nga Maqedonia në Hungari, tanimë dy muaj është në arratisje. Korrieri gjyqësor përpara dy muaj, më saktësisht më 9 nëntor të vitit 2018-të, tre herë është përpjekur, por nuk ka mundur që ta gjejë ish kryeministrin në adresën e letërnjoftimit të tij. Në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, 48-vjeçari Gruevski ende është i fundit që është shpallur se kërkohet me fletë-arrest ndërkombëtar, njofton Portalb.mk.

Qytetarët e Maqedonisë dy muaj nuk e dinë se si dhe kur saktësisht Gruevski e ka lëshuar vendin. Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski deklaroi se është njohur vetëm se Gruevski nuk ka ikur në mënyrë legale nëpërmjet pikave kufitare dhe nëpërmjet linjave ajrore. Të njëjtën e ka përsëritur edhe prokurori shtetëror, Lubomir Joveski. Prokurorja, Vilma Ruskoska në një intervistë tha se rrjedha e deritanishme e hetimit tregon se ka lëshime të paqëllimshme të institucioneve për arratisjen e ish kryeministrit.

Publikimi i fundit i Gruevskit në rrjetin social “Fejsbuk” është më 20 nëntor, kur ka njoftuar se ka fituar azil në Hungari. Një gazetar hungarez është përpjekur që t’i marrë deklaratë, pasi që e ka “kapur” në një restorant luksoz në Budapest, por nuk ka arritur. Në ndërkohë, Gruevskin në Hungari e ka vizituar bashkëpartiaku i tij, Aleksandar Trajkovski, i cili është i akuzuar në lëndën e Prokurorisë Speciale “Dhuna në Qendër”.

Opozita hungareze me letër të përbashkët të dorëzuar në Kuvend ka kërkuar që të shfuqizohet azili i Gruevksit dhe i njëjti të ekstradohet në Shkup. “Partia Socialiste”, “Dialog për Hungarinë” dhe “Koalicioni Demokratik” e kanë paralajmëruar Qeverinë në krye e Viktor Orbanin, se me vendimin për azil nuk e përfaqësojnë popullin hungarez, por as qytetarët e tërë Bashkimit Evropian.

Në ndërkohë, Prokuroria Speciale kërkoi dhe iu pranua kërkesa për paraburgim të Gruevskit për të gjitha rastet që i udhëheq kundër tij. Paraburgimi është aprovuar, por Gruevski ndodhet në Hungari, Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar kërkesë për ekstradim, por deri më tani autoritetet hungareze nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.

Shkuarja e Gruevskit në Budapest ka ardhur pas njoftimit të Gjykatës në Maqedoni që i njëjti të paraqitet në Burgun e Shuto Orizares për ta vuajtur dënimin me burg prej dy vjetësh në rastin “Tank” të prokurorisë Speciale Publike për furnizimin e mercedesit e vlerë pre rreth 600.000 euro.

Gruevski, edhe pse s’ka pasur pasaportë ai në Hungari ka arritur nga Shqipëria, ku me ndihmën e diplomatëve hungarez ka kaluar në Mal të Zi, Serbi dhe në fund në shtetin me të cilin udhëheq konservatori dhe miku i tij, Viktor Orban.