Intervistë me kryetarin e Shoqatës “ Malësia e Madhe” në Michigen , Ruzhdi Gjokaj

Punojmë për të mirën e vendlindjes

Intervistoi: Gjekë Gjonaj

Koha javore: I nderuar z. Gjokaj, sinqerisht i gëzohem takimit me Ju këtu në Tuz, ku erdhët nga Detroiti para zgjedhjeve lokale në Tuz. Cili është qëllimi i kësaj vizitë vendlindjes Tuaj të dashur, të cilën nuk e harroni kurrë dhe përherë e mbani në zemër?

Së pari faleminderit për përkushtimin tuaj dhe kohën që më keni kushtuar mua si kryetar i Shoqatës “ Malësia e Madhe” në Michigen.Përfitoj nga rasti të përshëndes të gjithë lexuesit tuaj kudo që gjinden të ndarë nëpër botë dhe në vendlindje. Një përshëndetje të veçantë për të gjithë ata votues që kësaj herë votuan per vendlindjen e vet, për komunën e pavarur të Tuzit e cila gjatë katër vitet e ardhshme do të drejtohet me sa di unë për herë të parë nga përfaqësuesit e subjekteve politike nacionale shqiptare dhe do të ketë administratë shqiptare.
Te kthehem në pyetjen tuaj konkrete .Në Maslësi kam ardhur më 26 shkurt dhe menjëherë kam filluar punën me qëllim që të ndihmoj sa më shumë jo vetëm unë por të gjitë ata që kanë ardhur nga diaspora me shpenzime vetanake të sensibilizojmë qytetarët e Malësisë që të votojnë në numër sa më të madh partitë politike shqiptare. Bashkë me mërgimtarët e tjerë nga Malësia morëm pjesë aktive në promovime partiake anë e mbanë Malësisë duke shlyer kështu një borxh të madh që kemi ndaj vendlindjes. Dhe na gëzon fakti se i gjithë mundi dhe përpjekjet tona të përbashkëta u kurorëzuan me fitore, gjë e cila na ka kënaqur dhe lumturuar shumë.

Koha javore: Në zgjedhjet e para në Komunën e Pavarur të Tuzit Forumi Shqiptar “ Malësia na Bashkon” fitoi shumicën e mandateve. Si e komentoni këtë fitore e cila nga shqiptarët u vlerësua si historike?

Vërtetë fitore historike dhe mburremi për këtë.Sepse i kemi treguar botës shqiptare se si punohet për të mirën e vendlindjes. Se si bashkohet rreth një qëlllimi madhor e të përbashkët nje grup i vogël i popullit që e quajmë veten Malësorë, që në thelb jemi një dhe gjithçka kemi të përbashkët, duke u nisur nga gjaku, gjuha, kultura, territori dhe gjithshka tjetër që e krakterizon një vllazëri ( popull). Jeta jonë është e përbashkët pavarësisht se ne mund të besojmë shpirtërisht çfarëdo ndiejmë e dëshirojmë . Në këtë pikëpamje ne asnjëherë nuk duhet të dyshojmë.

Është bërë punë shumë e mirë me bashkimin e partive shqiptare të cilat pothuajse kanë të njëjtën platformë politike për krejt Malësinë dhe unë nuk e shoh të arsyshme pse ato të mos bashkohen dhe të veprojnë së bashku. Dua të veçoj rininë tonë të shkëlqyeshme, nga të gjitha trevat e Malësisë , e cila personalisht më ka motivuar të bëj edhe më shumë, madje shumë herë edhe ka ndikuar emocionalisht në mua. Ndjehem krenar që kemi një rini kaq të edukuar, kaq të emancipuar, kaq të arsimuar dhe kaq adhurues të vendlindjes së tyre. Kjo kënaqësi nuk mund të shprehet me fjalë. Ajo vetëm mund të përjetohet. Po ashtu shpreh respektin dhe mirënjohjen time edhe për Forumin Shqiptar “ Malësia na Bashkon “, i cili gjithësesi meriton çdo lëvdatë edhe në nivel kombëtar për punën e bërë. Nga udhëheqësit dhe i gjithë ekipi i këtij forumi mund të nxjerin mësim edhe të tjerët tjerët se si duhet vendlindja dhe vendi ku jetojmë. Slogani im ishte “Vetëm së bashku fitojmë”. Dhe vërtetë kështu ndodhi. Fitoi e gjithë Malësia.

Koha javore: Vazhdimisht mërgimtarët nga Malësia, Ju personalisht dhe shoqata që e drejtoni me sukses, e kanë mbështetur themelimin e Komunës së Pavarur të Tuzit. Dhe, kjo ëndërr e malësorëve tashmë është realitet. A mendoni se në të ardhmen kjo komunë do të kryejë më mirë funksionin e vet në shërbim të mirëqenies së qytetarëve të saj?

Po. Fatmirësisht ëndërra jonë tashmë u bë realitet. Për këtë gjithë kohën kemi punuar intensivisht ne në diasporë me të gjitha mjetet demokratike , duke kontaktuar senatorë dhe kongresmenë të shteteve ku jetojmë, por edhe me protesta para Shtëpisë së Bardhë dhe Ambasadës së Malit te Zi në Uashington. Domethënë kemi shprehur moskënaqësine tonë se me të vërtetë statusi i mëparshëm i Komunës së Tuzit në kuadër të kryeqytetit ka zgjatur shumë, pa nevojë. Sepse , sipas mendimit tonë, si e tillë nuk do të mund të ishte në funksion të plotë të nevojave të qytetarëve të saj. Personalisht mendoj se ky ishte një gabim shumë i madh i atyre që e mbajten peng Malësinë gjithë këto vite. Këtë e dëshmon moszhvillimi i Malësisë gjatë viteve, ku nuk është punuar asgjë përveç se, para fushatave zgjedhore, janë mbushur gropa me asfalt, duke promovuar kështu veteveten partitë në pushtet. Dhe këtë kësaj herë e kuptuan mirë qytetarët e Malësisë, të cilët i ndëshkuan ata me votën e tyre.

Ne mërgimtarët pushtetin e ri do ta përcjellim nga larg , por nuk do të përzihemi në punën e tij , sepse e vlerësojmë se nuk do të ishte mirë. Dëhirojmë me gjithë zemër që ky pushtet gjatëë katër viteve të ardhshme të tregojë aftësi, në të gjitha fushat e vetëqeverisjes lokale. Urojmë dhe shpresojmë të jenë të suksesshëm në shërbim të të gjithë qytetarëve të Malësisë. Por edhe të kenë kujdes nga opozita, e cila nuk flenë.

Koha javore: Pa investime nuk ka zhvillim ekonomik. Nga kontaktet që keni me komunitetin tonë në SHBA, çfarë interesimi kanë ata për të mbështetur projektet që do t’i kandidojë pushteti i ri i Komunës së Tuzit, ose për investime vetanake në funksion të zhvillimit të Malësisë?

Për këtë ende nuk kemi marrë asnjë hap konkret. Por do të ishte më se e mirëseardhur që të gjejmë disa afaristë apo kompani që do të investonin në Malësi.Mirëpo, duke ditur se në Komunën e Tuzit momentalisht nuk egziston ndonjë zonë industriale apo turistike, duhet filluar nga fillimi. E çdo fillim është i vështirë. Por me punë e përkushtim besoj se të gjithë së bashku do t’ia dalim. Ne kemi besim në kryesinë e re të Komunës së Tuzit se do të dijë të drejtojë me sukses këtë komunë. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në këtë drejtim , pasi diapsora jonë ka potencial në shumë fusha të jetës, dhe këtë gjë e kemi dëshmuar në Shtete të Bashkuara të Amerikës.

Koha javore: Si mërgimtar i cili vazhdimisht e viziton Malësinë çfarë ndryshimesh pozitive infrastrukturore ka përjetuar kjo trevë e lavdishme shqiptare në periudhën e tranzicionit?

Shumë pytetje e vështirë për t’u përgjigjur. Sepse si do të pçërgjigjem dikuish do të preket. Çdo gjë që është ndërtuar në Malësi deri më tani është ndërtuar edhe me kontributin e dispaorës. Pa djersën tonë asgjë nuk është punuar në Malësi. Kush i ndërtoi rrugët, asfaltin? Ne të gjithë së bashku, e jo komunat e shteti vetëm. Pse ti japim dikujt tjetër kredi për këtë përveç se prenë shiritin e kuq, hëngrën e pinë dhe u kthyen duke na thënë : “Falemiderit në pritje, na thirrni përsëri”. Kur është fjala për elektifikimin ai është bërë për interesin e kompanisë elektrike. Pse t’i falënderojmë ne ata për atë që ne u dhamë partatë tona dhe ata tani marrin paratë nga investimet tona. Domethënë edhe kështu na kanë shfrytzuar. Vallë, a mos duhet falënderuar për ndërtimin e Qendrës Kulturore, e cila është ndërtuar me djersën e diasporës. Thënë shkurt, puna e deritashme e institucioneve komunale dhe shtetërore sa i përket investimeve në Malësi nuk meriton notë kaluese. Ndoshta jam pak i ashpër në vlerësimet e mia, por i këtillë jam unë, konkret, i sinqert dhe transparent.

Koha javore: Në aspektin e zhvillimeve negative, në aspektin e ruajtjes së trashëgimisë dhe identitetit të banorëve të Malësisë a ju vret syrin ndonjë dukuri shqetësuese?

Syri më vretë shumëçka në Malësi. Për t’i thënë të gjitha do më duhej një gazetë e tërë, apo një gjysmë libri. Jam shumë i brengosur dhe i shqetësuar për faktin se Malësia nuk ka asnjë muzeum , përveç disa muzeumeve të vogla individuale, të cilat janë lënë në mëshirën e fatit dhe në përkujdesjen e pronarëve të harruar nga institucionet vendore e qëndrore. Për mua kjo është dukuri negative me pasoja të mëdha, sepse jo më kot thuhet nëse dëshiron të shkatërroshë një popull shkatërroja kulturën dhe historinë, e pastaj të tjerat shkatërrohen vetë.

Koha javore:Malësia e përcjellë në kujtesën ( memorien) e paraardhësve tanë është krahinë tradicionale e vlerave të gjithanshme , por sidomos e atyre shpirtërore dhe shoqërore, si harmonia dhe shkueshmëria e madhe me fqinjët dhe të afërmit. Me ndryshimin e sistemeve sa ka ruajtur Malësia nga tiparet e saj tradicionale, si mikpritjen, bujarin, besën, dashurinë ndaj punës dhe respektin e ndërsjellët?

Neve si popull jemi shumë bujarë. Bujarinë e kemi trashëguar nga të parët tonë. Për tiparet tona tradicionale ka shkruar poeti ynë i madh At Gjergj Fishta e shumë shkrimtarë të njohur shqiptarë dhe kronistë të huaj. Vec kësaj ne malësorët jemi shumë pranë njëri tjetrit. Kemi shumë kumbari e vëllamëri me njëri tjetrin. Këto tipare, sikurse edhe tradita jonë e lashtë dhe e lavdishme për fat të mirë vazhdojnë të ruhen dhe të kultivohen në vendlinjdje dhe në diapsorë. Kjo gjë është shumë pozitive për brezat që vinë, për të ardhmen e tyre.

Koha javore: Po nga tradita kulturore dhe artistike , sipas mendimit tuaj, çfarë kanë ruajtur, çfarë kanë deformuar apo kanë humbur malësorët?

Me largimin e popullatës së Malesisë ( pothujase gati 3/4 janë në mëgrim dhe një pjesë e tyre kurrmë nuk do të kthehen në vendlindje) zvogëlohet mundësia e ruajtjes së traditës. Kjo na dëmton të gjithëve si komb.
Këtu në Malësi egzistojnë shoqëritë kulturore – artistike që mundohen me fanatizëm të ruajnë atë që trashëguam. Vërej se suksesi nuk mungon. Veçoj me këtë rast Festivalin Marëkombëtar Foklorik në Vitojë , i cili meriton çdo lëvdatë dhe ka një jehonë shumë të madhe.
Nga ana tjetër ka edhe dukuri negative. Si për shembull disa këngëtarë të cilët me këngët e veta orientale apo forma të tjera të këndimit po e bastardojnë gjuhën shqipe për fat të keq.

Koha javore: Të flasim pak edhe për Shoqatën ” Malësia e Madhe” në Detroit, anëtar dhe kontribuues i të cilit jeni qysh nga themelimi, kurse tani jeni edhe kryetar i saj. Na tregoni për kontributet kryesore të shoqatës për vendlindjen ?

Së pari jam shumë krenar që përfaqësoj shoqatën më të fuqishme në diasporë, gjë të cilën e kemi kemi dëshmuar tash 17 vite. Malësorët kanë punuar dhe punojnë ditë e natë. Ne jemi të angazhauar në të gjitha sferat e jetës. Kemi ndihmuar shumë individë të sëmurë., studentë , politikanë. E duan me gjithë zemër e shpirt vendlindjen. Nuk kursehemi ta ndihmojmë atë në çdo aspekt e moment të nevojshëm. Bëjmë aq sa mundemi. Të gjithë jemi vullnetarë. Punojmë pa kurrfarë kompensimi. Donacionet që ne i fitojmë shkojnë të plota. Domethënë secili dollar që bashkojmë e japim dhuratë aty ku është nevoja e Malsorëve dhe Malësisë. Çdo donacion yni është transparent. Secili njeri ( donator) ka të drejtë të dijë se ku shkojnë donacionet e tyre. Asgjë nuk e bëjmë fshehurazi. E gjithë puna jonë është e hapur.Kështu na pëlqen të veprojmë.

Për 17 vjet shoqata jonë ka grumbulluar afro 1.3 milionë dollarë dhe të gjitha janë dhënë në Malësi , në Shqipëri dhe në Kosovë… Unë nuk di ndonjë shoqatë tjetër me popullatë kaq të vogël e me zemër kaq të madhe se sa shoqatën tonë. Dua të theksoj se kjo shoqatë ka pritur politikanë të shquar, duke u nisur nga presidentët shqiptarë të Kosovës , dhe politikanë të Malësisë. Kemi mbajtur simpoziume me karakter kombëtar dhe kidemi organizuar disa aktivitete tjera të rëndësishme. Pra, mundohemi të jemi aktiv, të bëjmë sa më pak gabime, ndonëse kush punon patjetër edhe gabon.

Koha javore: Çfarë veprimtarish parashikoni se do të konsistojë veprimtaria e shoqatës për këtë vit?

Në të ardhmen mendojmë të vazhdojmë punën e filluar para gati dy dekadash. Të kontaktojmë sa më shumë individë që të na ndihmojnë dhe së bashku të ndihmojmë të tjerët.

Ma merr mendja se edhe Kryesia e Komunës së Tuzit do ta njoh vlerën tonë intelektuale, sikurse edhe pushtetarët në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Nëse ata nuk kanë dëgjuar më parë për ne jam i sigurt se zëri ynë është dëgjuar kësaj herë si asnjëherë më parë në të gjitha vendet ku ka shqiptar se Malësia ka një diasporë dhe një shoqatë që ka bërë kaq shumë për vendlindjen e vet.

Dua me këtë rast t’i siguroj të gjithë shqiptarët në Malin e Zi se ne jemi të gatshën t’u ndihmojmë të gjithëve ashtu siç u ndihmuam bashkëvendasve tanë në Malësi. Kontributi ynë kurrë nuk do të mungojë për të mirën e shqiptarëve në trojet e veta etnike.