Janakievski dhe Bozhinovksi dalin nga burgu

Gjithnjë e më e sigurt është se Gjykata Penale do të vendosë që paraburgimin në Shutkë të Sasho Mijallkovit ta zëvendësojë me arrest shtëpiak. Prokuroria Speciale sot pasdite dërgoi mendim në Gjykatën Penale, duke kërkuar një masë më të butë, për ish-kreun e Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit, pasi prokurorët e Prokurorisë Speciale u përgjigjën pozitivisht ndaj kërkesës së Mijallkovit. Në propozimin e Speciales theksohet ndalimi i komunikimit me persona dhe përdorimin e mjeteve të komunikimit. Tani gjykatësi i procedurës paraprake do të duhet të vendosë, nëse Mijallkov do të jetë në shtëpi për festat e Vitit të Ri, ose do të presë një vendim në Shutkë, ku gjendet nga fundi i nëntorit. Nga Gjykata nuk kishin përgjigje të qartë, nëse vendimi mund të pritej sot apo ndoshta të hënën. Mijallkov është aktualisht i vetmi në rastin “Perandoria” që është në paraburgim. Atij iu shqiptua kjo masë më 2 dhjetor, pasi e njëjta iu shfuqizua më parë për rastin Fortesa-Target. Ndërkohë sot Gjykata e Apelit në orët e mëngjesit në një seancë të mbyllur shfuqizoi paraburgimin për Mile Janakievskin dhe Kirill Bozhinovski – të dy të pandehur në rastin Titanik 1. Zorica Arsovska dhe Nenad Josifoviq, po ashtu shkojnë në arrest shtëpiak, të cilët u arrestuan për hetimin “Perandoria”. Ata iu bashkangjitën Orce Kamçevit dhe Cvetan Pandelevskit, të cilët prej dje e braktisën Shutkën. Ndaj të pandehurve është shqiptuar masë e kujdesit- sekuestrim i përkohshëm i dokumentit të udhëtimit ose ndonjë dokumenti tjetër për kalimin e kufirit shtetëror.