Katër vjet pa Visar Alimin, karateistin e sukseseve të mëdha

Kanë kaluar katër vite prej se u nda nga jeta karateisti kërçovar Visar Alimi, por sukseset e tij kanë mbetur të freskëta tek dashamirët e sportit nëpërgjithësi dhe atyre të karatesë në veçanti. Ai do të mbahet mend për medaljet e shumta që i ka fituar në  konkurimet e ndryshme të nivelit kombëtar dhe ndërkombëtar

Visar Alimi u lind më vitin 1982, cilklin  e ulët të arsimit fillor e kreu në fsahtin Trapçindoll ndërsa të lartin në shkollën Faik Konica të fshatit Greshnicë. Skollën e mesme e kreu në gjimnazin e Kërçovës ndërsa fakultetin e shkencave kompjuterike në UEJL ku më pas merr edhe titullin magjistër i elektronikës, në drejtimin dizajn dhe grafikë. Hapat e parë në sportin e karatesë, Visari i filloi që në moshë të vogël në klubin e karatesë të Kërçovës ku shfaqi talentin e tij dhe punën përkushtuese që e bëri atë fitues të shumë medaljeve në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar.

Sukseset e para i shënon në klubin amë ku shfaq talentin e tij në garat e niveleve komunale dhe republikane duke mbledhur njëra pas tjetrës medaljet e arta kudo që ai garonte në kategorinë minus 50.  Gjatë vitit 1997, Visari fiton 11 medalje të arta, prandaj edhe shpallet sportist i vitit në komunën e Zajazit, ndërsa një vit më vonë ai u zgjodh sportisti i vitit edhe në komunën e Kërçovës.

Në kategorinë e juniorëve ishte i pari në Maqedoni, kishte shënuar 35 fitore në garat e nivelit republikan, prandaj edhe bëhet pjesë e reprezentacionit të Maqedonisë ku dëshmoi afinitetet e tij sportive edhe në garat ndërkombëtare.

Në një konkurencë jashtëzakonisht të fortë,  Visar Alimi dy herë ishte fitues i turnirin ndërkombëtar në Moskë, duke sfiduar emra të njohur të karateistëve që përfaqsonin shtetet evropiane.

Visari ishte një sportist shumë i përkushtuar dhe rezltatet e tij nuk kanë qenë të rastësishme, as në kata e as në luftë ku dominonte arenat vendore dhe ato ndërkombëtare.   Ishte shumë miqësor me shokët e klubit dhe sportistët nëpërgjithësi, por i ashpër dhe sfidues në përballjet me konkurentët. Të tillë e cilësojnë, trajnerët dhe bashkëmoshatarët e tij.

Përveç të arriturave sportive Visari do të mbahet mend edhe për tiparet e tij shembullore, si një djalosh modest, dinjitoz dhe i afërt me të gjithë ata që e rrethonin.

Shaban Dalipi