Këta janë disa nga serbët e dyshuar për masakrën e Reçakut

Më 15 janar 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak të komunës së Shtimes. Tani, kur bëhen 20 vjet nga masakra, banorët e fshatit, të cilëve iu vranë familjarët, thonë se janë të dëshpëruar me faktin se askush nuk u dënua për krimet e kryera.

Në Kosovë pas luftës së vitit 1999 kanë qenë 48 gjykime për krime lufte në të cilat janë dënuar 34 shqiptarë, 4 serbë dhe një malazez. Kështu thuhet në publikimin e botuar “Pasqyrë e gjykimeve për krimet e luftës në Kosovë në periudhën 1999-2018”, të cilin e përgatiti Fondi për të Drejtën Humanitare të Kosovës (FDH).

Sipas këtyre të dhënave, serbët e përfshirë në masakrën e Reçakut dhe masakrat tjera në Kosovë kanë mbetur të pandërshkuar.

Për t’i dëshmuar drejtësisë kosovare, serbe dhe asaj ndërkombëtare, Ballkani.info sjellë të dhënat e papublikuara deri më tash të 17 serbëve të dyshuar për masakrën e Reçakut.

Ata dyshohen se ditën e 15 janarit morën pjesë në vrasjen dhe masakrimin e 45 civilëve shqiptarëve në kodrën e fshatit Reçak.

Ballkani.info sjellë të dhënat personale të këtyre 17 serbëve, disa nga të cilët ishin banorë të Shtimes.

Në mesin e tyre kishte policë, të rinj serbë që ende ishin nxënës, punëtorë, inxhinier të pylltarisë, dhe automekanik.

Ballkani.info sot e ka publikuar edhe planin famëkeq të detajuar të forcave serbe dhe udhëheqësve të saj për masakrën e Reçakut.

Nesër, Ballkani.info do të publikojë dosjen e plotë të të dyshuarve për krimet në Komunën e Shtimes. Aty do të paraqiten me fotografi dhe emra 28 persona.