Klinton Zeqiraj: Skena erotike me ish-in në makinë, ja si reagova kur erdhi policia

Egla Xhemali – Për disa personazhe publikë ai është “makth i vërtetë”, mirëpo shumë të tjerë ua kanë marrë dorën pyetjeve të tij, që doemos i bëjnë ata të ndihen në siklet.

Besoj se e kuptuat që bëhet fjalë për Klinton Zeqirajn super kunjin e emision “Thumb” që transmetohet në ABC news. Një djalë ndryshe nga ata që jemi mësuar të shohim në media, plot energji dhe sens humori. Zeqiraj ka spikatur për mënyrën se si i ka bërë të flasin shumë figura të njohura të botës së show bizzit, për “çmenduritë e këndshme” me videot që ndan me ndjekësit e shumë detaje të tjera. Klintoni vjen në një rrëfim ekskluziv për “Gazeta shqiptare” për të ndarë me ne “thumbat” që u hedh personazheve, marrëdhëniet me Fatmën dhe Aulonën, aventurën më të rrezikshme që ka kaluar, pasionin për modelingun, si dhe shpenzimet që e kanë bërë të pendohet. Nuk ka ndryshim ndërmjet djalit që shfaqet në televizion dhe atij që e nis çdo ditë si gjithë njerëzit e zakonshëm. Në gjithë këtë intervistë Klintoni nuk harron të qesh për asnjë moment duke na vërtetuar dhe një herë se nuk ka kompleks të tregoj edhe histori si ajo e aventurës së rrezikshme.

Sa e vështirë është të thumbosh personazhet shqiptarë?
Hmm të them të drejtën unë personalisht nuk e kam aspak të vështirë, sepse e hedh thumbin direkt pa e menduar dy herë. (qesh) Pastaj varet nga personazhi a i djeg thumbi apo jo. (qesh) Megjithëse tani kanë filluar të më kenë qejf dhe janë mësuar, se në fillim u vinte si bombë kur ua plasja në sy!

Cili prej tyre u ka bërë bisht pyetjeve të tua?
Ka personazhe që i bëjnë bisht pyetjeve sa herë vjen puna tek seksi. Nuk e di pse e kane kaq kompleks kur flitet për të dhe nuk kanë reaguar ose janë vënë në siklet. (qesh) Por, unë prap kam tentuar t’i ngacmoj! Pastaj ka dhe nga ato personazhe që nuk e kanë problem fare këtë pjesë dhe flasin shumë lirshëm.

Deri ku ke guxuar me pyetjet dhe me kë?
Unë ngaqë jam natyrë shumë pa komplekse dhe në një farë mënyre le të themi “crazy “dhe vetë habitem si s’më ka ardhur ndonjë shuplakë mbrapsht. Guxoj shumë dua t’i ngacmoj deri aty ku nuk mban më! Ka pasur shumë raste me shumë personazhe që çfarë s’i kam thënë, por tani më kujtohet kur kam pyetur Tunën në eventin e “Odës për traditat shqiptare”. Kur e kam pyetur se cili është ai ushqim që do të konsumonte atë natë, ajo më tha lepur me rrënjë selinoje. Ndërkohë unë ja kthej: Po të hash lepur mendon se do e bësh shpejt si lepujt? “Se di”- ishte përgjigjja e Tunës do ta them mbasi ta provoj. (qesh)
Ose Albërie Hadërgjonaj e kam pyetur: Cili është ai ushqim tradicianol shqiptar që të bën të ndihesh egër për të bërë seks? Dhe Albëria me natyrën e vet që nuk e vret mendjen është përgjigjur: Suxhuku më ndez krejt. Se t’bën me pi ujë. (qesh) Ka pasur shumë raste kur personazhet janë vënë në siklet nga pyetjet e mia.

Si i ke marrëdhëniet me Aulonën dhe Fatmën?
Më mire prishet! (qesh) Në fakt, kam marrëdhënie shumë të mira me gocat dhe jam i lumtur që punoj me to. Me Fatmën njihem prej vitesh, pasi bashkë kemi punuar dhe më parë për një emision dhe ka qenë ajo që ma bëri propozimin për të qenë pjesë e “Thumbit”. Ndihem shumë rehat, pasi jam i lirshëm në atë që bëj dhe them.

Momenti më i sikletshëm në një party?
Në party zakonisht s’më ka rastisur asnjëherë të kem momente të sikletshme për faktin se sa herë shkoj jam shumë high dhe vetëm kërcej për qejf. S’më ka ndodhur diçka e sikletshme.

Aventura më e rrezikshme që ke kaluar?
Boooh ta them? Ok, po e them, pra! Ka qenë realisht një moment tepër i sikletshëm. Kam qenë duke bërë seks me ish-të dashurën time në makinë, dhe kisha ndaluar në një rrugë kryesore. Në atë moment vjen makina e policisë, ku më qëndronte në krahë të makinës sime. Ato çaste thashë se më ra pika. (qesh) Dhe ndërkohë që dal nga makina më kërkojnë dokumentet dhe për t’u shoqëruar në komisariat, pasi kisha ndaluar në vend publik. Pas tentativave të shumta për të bindur policin e zgjidhëm. (qesh) Por, realisht në ato momente ka qenë një siklet i papërshkrueshëm.

Për çfarë do e lije përgjithmonë gazetarinë?
Hmmm se kam menduar ndonjëherë të them të drejtën, por, nëse do më ofrohej ndonjë post i rëndësishëm dhe me shumë para, do ta mendoja njëherë.

Pasioni për modën, në çfarë transformon?

Modelingu ka qenë një trampolinë për t’u futur në ekran, ashtu siç shumica e të rinjve kanë bërë. Kur kam qenë 16 vjeç kam pasur dëshirë për të bërë foto dhe për t’u marrë me modeling. Pastaj kur rritesh kupton që kërkon më shumë nga vetja. Nuk e kam parë asnjëherë si diçka fitimprurëse! Më shumë si hobi, ndërkohë tani u bë vite që as jam marrë më pasi dihet që nuk ka të ardhura.

Përtej ekranit, cila është e veçanta e një dite të zakonshme?
Unë jam tip që dua njerëz, s’më pëlqen vetmia. Dua të dal të argëtohem me shoqëri, të kaloj bukur! Shkoj në palestër, por jo sistematikisht. Të veçantë do të thosha mesazhet që marrë thuajse çdo ditë nga njerëz të ndryshëm që më ndjekin dhe më kanë parë në “Thumb”. Kur më komplimentojnë dhe urojnë e qeshin pafund me videot e mia. Kur më thonë: O Klinton t’u bëftë dita një mijë se na kënaqe etj.! Realisht këtë do ta veçoja si një gjë të veçantë! Ndihesh shumë mirë kur njerëzit të mbushin me urime të tilla dhe të vlerësojnë dhe në fund të ditës je mbushur me pozitivitet, kjo gjë të bën të ecësh përpara.

Shpenzimi më i madh që ke bërë për diçka dhe je penduar?
Aaaa na fal tani se të gjitha lekët i bëj rroba, këpucë! Pasi i marr dhe ne fund ngelem pa lekë, them me vete po unë ç’pata që i mora ato sikur s’kam këpucë ose xhaketa për shembull! Por, kur vjen puna për rrobat aty jam i fiksuar.