Komuna e Tetovës kërkon nga qeveria të bëhet një rrethrrotullim i ri

Në seancën qeveritare që u mbajt në Tetovë, kryetarja e komunës, Teuta Arifi, ka kërkuar një kategorizim të ri të rrugëve lokale në mënyrë që të mund të ndërtohet një rrethrrotullim që do të përfshijë pjesën perëndimore dhe veriore të qytetit në drejtim të Kosovës, informojnë nga vetëqeverisja lokale.

Bëhet fjalë për aksin nga fshati Trebosh deri tek kryqëzimi me rrugën rajonale Tetovë-Jazhincë.

“Kjo ishte kërkesa jonë e shtruar në seancën qeveritare dhe u pranua në formën e një konkluze. Ideja është të ndërtohet një rrethrrotullim për ato automjete që qyteti nuk është destinacioni i tyre i fundit, ta anashkalojnë Tetovën dhe të vazhdojnë nga destinacionet të tjera”, deklaroi kryetarja e Komunës, Teuta Arifi.

Ky rrethrrotullim do të nënkuptonte lëvizjen e automjeteve jashtë Tetovës kah veriperëndimi dhe arritje deri tek vendbanimet në komunat Tearcë dhe Jegunovcë, vendkalimi kufitar Jazhincë nga Kosova.

Ndryshe, në Tetovë për të shmangur trafikun e bllokuar me automjete të cilat qytetin nuk e kanë destinacionin e tyre të fundit po bëhet një përpjekje nga vetëqeverisja lokale që të vazhdohet bulevardi “Vidoe Smilevski-Bato”.

Autostrada Shkup-Tetovë-Gostivar tani për tani është i vetmi rrethrrotullim nëse automjetet lëvizin nga Gostivari dhe nga Ohri pa hyrë në qytet.