Komuniteti shqiptaro-amerikan, si dhe pjesëtarë të Shoqatës Atdhetare “Malësia e Madhe”, kanë organizuar demonstratë para ambasadës së Serbisë, për të shprehur kundërshtimin që edhe pas 20 vitesh, nuk është dënuar asnjë kriminel për 20.000 rastet e dhunimit në Kosovë.
Në një deklarim, Z. Ruzhdi Gjokaj dhe z. Nikollë Junçaj, kanë theksuar si vijon:
“Sot, komuniteti shqiptar në Amerikë ka qenë i tronditur, nga dëshmia e tmerrshme e Vasfije Krasniqi Goodman, si dhe Ilir Bytyqi dhe Atifete Jahjaga.
Ne, qytetarët dhe anëtarët shqiptarë të shoqatave “Malësia e Madhe” në Detroit dhe në New York, Kryetaret e shoqatave Malësia e Madhe Detroit dhe New York shprehëm indinjatën e thellë për mosndëshkimin e krimeve serbe në Kosovë.
Në veçanti, është brengosëse e vërteta e thënë nga Vasfije Krasniqi Goodman, e cila na preku pa masë, dhe nxiti të kërkojmë para përfaqësisë diplomatike të Serbisë, dënimin e kriminelëve për krimet e kryera në Kosovë.
Këtë demonstratë anti serbe, të motivuar për denoncimin e krimeve dhe dënimin e kriminelëve, për krimet e kryera ndaj popullit shqiptar, i ka pri kryetarët dy shoqatave, z. Ruzhdi Gjokaj dhe z. Nikollë Junçaj.
Motra jonë Vasfija, është një heroinë, e cila dha një rrëfim të tmerrshëm për krimin dhe gjenocidin serb në Kosovë. Ajo, me dëshminë e saj, tronditi Komisionin e Kongresit Amerikan si dhe çdo qytetarë me ndjenjë e zemër humane, posaçërisht neve, shqiptarëve.
Ne jemi ndjerë sa të tmerruar, aq të çliruar nga ai rrëfim, sepse, u tregua fytyra vrastare e okupatorit serb, por edhe u hap një faqe e re në Kongres, për një krim i cili ende nuk është dënuar.
Sot, ne komuniteti shqiptar, shprehim solidaritet të plotë me Vasfijen, si dhe të gjitha rastet e krimit të dhunimit si mjet lufte, të përdorura nga okupatorët serbë, kundër qytetarëve të pafajshëm. Vasfija është heroinë, e cila me tregimin e vet, solli sërish, tmerrin e luftës, krimit dhe gjenocidin serb, i cili ende mbetet i pandëshkuar.
Përjetësisht falënderues ndaj Komisionit ë Kongresit Amerikan dhe mikut tonë, kongresmenin, Eliot Engel,
Ruzhdi Gjokaj dhe Nikollë Junçaj
P.S. deri më tani, peticionin për dënimin e krimeve serbe ndaj shqiptarëve, e kemi shpërndarë te kongresmenët në më shumë se 20 shtete federale të ShBA”