Korona do të ulë numrin e votuesve

Mbi 22 për qind e qytetarëve, për shkak të frikës nga përhapja e virusit Kovid-19, janë deklaruar se nuk do të dalin të votojnë në zgjedhjet e 15 korrikut, ndërsa 9 për qind janë deklaruar se nëse situata me Kovid-19 vihet në kontroll, mund të ndryshojnë mendje. Si rezultat i këtyre të dhënave ka filluar edhe fushata “VOTO”.

Njohësit e rrethanave politike por edhe anketat e fundit flasin se nga frika e përhapjes së virusit, një numër i konsiderueshëm i qytetarëve nuk do të dalin për të votuar në zgjedhjet e 15 korrikut. Edhe pse kjo nuk e tkurr legjitimitetin e zgjedhjeve, bazuar në këto të dhëna tanimë në rrjetet sociale ka filluar fushata me thirrje “VOTO”. Qendra për Liri “Civil” ka filluar iniciativën “Voto” me të cilën i fton qytetarët që të dalin në zgjedhje. “Fytyra të njohura publike, aktivist qytetarë, aktorë, këngëtarë, gazetarë i janë bashkangjitur kësaj nisme, për arsye se kanë kuptuar rëndësinë që ti motivojnë qytetarët për të dal në zgjedhjet e 15 korrikut. Me daljen në zgjedhje dhe me votën e tyre qytetarët tregojnë se janë ata që vendosin për të ardhmen politike të vendit tonë”, thonë nga “Civil”.

Ish-deputeti Zudi Xhelili thotë se frika e përhapjes së virusit nuk duhet ndikuar në daljen e qytetarëve në votime. “Jemi dëshmitarë se virusi Kovid19 është përsëri në rritje. Është një hov i ri i virusit edhe pse pritej që me rritjen e temperaturave përhapja të zvogëlohet. Por si duket betejat me pandeminë do të vazhdojnë, ashtu si vazhdon edhe jeta. Pra njerëzit e kanë kuptuar se virusi është më pjesë e jetës së përbashkët, deri sa të gjendet vaksina. Në këtë drejtim edhe kemi filluar të adaptohemi me kushtet e reja, së bashku me masat e propozuara nga komisioni për sëmundje infektive. Prandaj mendoj se përhapja e virusit nuk duhet ndikuar në daljen e qytetarëve në votime, përderisa nëpër tubime partiake shohim prezencë të konsiderueshme të pjesëmarrëseve. Për të funksionuar si shtet normal, për tu marrë edhe me shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve, vendi kishte nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare që të krijohen institucione legjitime dhe efikase në të mirë të qytetarëve”, deklaroi për “KOHA”, Xhelili.

Mosinteresimin e qytetarëve për të dal në zgjedhje në sipërfaqe e nxori edhe anketa e fundit e Institutit Nacional Demokratik (NDI). Sipas anketës së tyre, si pasojë e frikës për përhapjen e koronavirusit dhe infektimin nga i njëjti, 22 për qind e qytetarëve nuk do të votojnë në zgjedhjet e 15 korrikut. Ndërsa, 15 për qind e të anketuarve kanë thënë se fare nuk e kanë ndërmend të dalin në zgjedhje, pra do i bojkotojnë ato. 12 për qind janë të pakënaqur nga politikat e deritanishme të të gjitha partive politike, 8 për qind kanë punë më të rëndësishme se zgjedhjet, ndërkaq 1 për qind e të anketuarave nuk do të dalin në votime për shkak të problemeve me shëndetin, si dhe për arsye tjera. Për 58 për qind të të anketuarve askush dhe asgjë nuk mund t’ua ndryshojë mendimin për bojkot të zgjedhjeve. Ndërkohë, në rast se situate me Kovid19 vendoset nën kontroll, 9 për qind e të anketuarve të cilët janë deklaruar se nuk do të votojnë, do të kishin ndryshuar mendje. Në anën tjetër sipas rezultateve nga Komisioni Shtetëror i zgjedhjeve dalja e qytetarëve në zgjedhjet parlamentare ka shënuar rritje graduale nga vitit 2002 e këndej. Dalja në zgjedhjet parlamentare të vitit 2002 ka qenë 55.9% e numrit të përgjithshëm të votuesve, në 2008 – 57.06%, në 2011 – 63.48%, në 2014 – 62.26% dhe në vitin 2016 – 66.79% e numrit të përgjithshëm të votuesve, i cili zyrtarisht është 1.78 milion votues.

Ndryshe, deri të zgjedhjet e parakohshme parlamentare Maqedonia erdhi me insistim të VMRO-DPMNE-së, pasi vendi nuk mori datë për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian në Samitin e vjeshtës së vitit të kaluar. Fillimisht zgjedhjet duhej të mbaheshin më 12 prill, por për shkak të krizës shëndetësore ato u shinë për një kohë të pacaktuar. Ndërsa për 15 korrikun si datë për mbajtjen e tyre në fund u pajtuan liderët e të gjitha parive parlamentare në vend.