Kosova nuk e ka humbur asnjë cent nga fondet e BE-së, ish Sekretari po dezinformon sërish

Për dy ditë, dy herë shpërndahet dezinformata e njëjtë, nga burimi i njëjtë, me portale të ndryshme. Ish sekretari i Ministrisë së Integrimit, Demush Shasha, sërish e riaktivizon dezinformatën e para dy ditëve, kinse Kosova humb fonde nga BE-ja.

Pardje, e kemi publikuar sqarimin. Për informimin e drejt të opinionit, kërkojmë ta publikoni sërish si demant ndaj dezinformatës së sotme, të lansuar nga Kosovapress-i, me titull: Përveç 43 milionë euro, Kosova rrezikon t’i humbas edhe 11 milionë të tjera nga Bashkimi Evropian. Kosova nuk e ka humbur asnjë cent nga fondet e Bashkimit Evropian.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, raportoi pranë Komisionit të përhershëm parlamentar për Integrime Evropiane, mes tjerash për rritje të fondeve të BE-së për Kosovën. Pra, asnjë cent nuk ka humbur nga këto fonde, kështu ka hedhur poshtë spekulimet për humbje të fondeve.

Me këtë sqarim, duam të njoftojmë opinionin se Kosova nuk ka humbur as edhe një cent të vetëm nga fondet e BE-së dedikuar Republikës së Kosovës, përkundrazi, fondet e BE-së janë rritur e assesi nuk janë zvogëluar.

Me IPA 2016, Pjesa 2, është nënshkruar Kontrata për Mbështetje Buxhetore për Reformën e Administratës Publike, në vlerë prej 25 milion euro, kurse me IPA 2017, Pjesa 2, është nënshkruar Kontrata për Mbështetjen Buxhetore për Menaxhimin e Financave Publike, në vlerë prej 25 milion euro.

Po ashtu, Ministrja Hoxha informoi Komisionin parlamentar se fondet e BE-së për Kosovën vetëm sa janë rritur: IPA 2017 ka ndarë 73 milion euro, IPA 2018 ka ndarë 90.5 milion euro, kurse IPA 2019 – 2020 mbi 200 milion euro.

Përpos fondeve të IPA-s, Kosova përfiton fonde edhe nga Korniza Investive e Ballkanit Perëndimor (WBIF), vuri në dukje Ministrja Hoxha, vetëm në këtë raund të aplikimeve, pra raundi 21 i aplikacioneve në kuadër WBIF-së: vlera e projekteve infrastrukturore tejkalon shumën prej 250 milion euro, vetëm ndërtimet e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, impianteve për ujë të pijshëm dhe kolektorë të ujërave nëpër qendrat e mëdha dhe të vogla të Kosovës tejkalojnë vlerën prej 400 milion euro.