Kryeministrja lezbike e Serbisë dhe partnerja e saj presin një fëmijë

Në krye të ekzekutivit serb prej më shumë se një viti ndodhet Ana Brnabiç, një 43-vjeçare që është përfolur më shumë për orientimin e saj seksual sesa për punën në Kryeministri.

Brnabiç është lezbike dhe bashkëjeton me partneren e saj, mjeken seksi Milica Djuriç, e cila është disa vite më e re se kryeministrja e Serbisë.

Të dyja sipas mediave serbe po përjetojnë një lidhje dashurie të fortë dhe së shpejti do të bëhen prindër.

Gazeta beogradase “Gloria” raporton se Milica ka ngelur shtatzënë nëpërmjet fekondimit artificial dhe kjo është arsyeja pse prej disa muajsh tashmë ajo nuk është parë në publik përkrah partneres Ana Brnabiç.

“Gloria” ka mësuar nga Qendra Klinike e Serbisë, më saktësisht në Qendrën për radiologji dhe rezonancë magnetike, ku është e punësuar Milica se ajo ka marrë pushimet e shtatzënisë.

Ndërkohë, kryeministrja serbe nuk e ka komentuar lajmin pasi vazhdon të ruajë qëndrimin e saj kundër prononcimit në media për jetën private.