Kryeparlamentari Xhaferi i dërgon letër ngushëllimi Presidentit Meta

“I nderuar President Meta,

Më lejoni që në emrin tim personal, dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të shpreh ngushëllimet e sinqerta në këtë Ditë zie kombëtare në Republikën e Shqipërisë, të shpallur për nder të nëntetares Zarife Muharrem Hasanaj, që ka rënë në krye të detyrës gjatë misionit të NATO-s në Letoni. Ndaj pikëllimin me ju, me gjithë kreun shtetëror të Republikës së Shqipërisë dhe me qytetarët e këtij vendi vëllazëror. Një ngushëllim i veçantë edhe për familjarët e afërm, për miqtë dhe bashkëpunëtorët e ushtarakes së ndjerë. Dua gjithashtu tu uroj shërim të shpejtë edhe të plagosurve në këtë fatkeqësi.

E nderuara Hasanaj ka përfaqësuar me nder dhe krenari forcat ushtarake të Republikës së Shqipërisë në këtë mision dhe jam i bindur se kontributi i saj ka qenë i denjë dhe për respekt. Kjo fatkeqësi e ndërpret rrugëtimin e saj jetësor në moshën e saj më të mirë dhe është humbje që nuk kompensohet por gjithsesi se do të mbesë në kujtimet e të gjithë atyre që e kanë njohur, kanë bashkëpunuar me të dhe kanë ndarë çaste të jetës me të. Kontributi i saj është kontribut në ndërtimin e forcave të mbrojtjes dhe sigurisë kolektive, për një botë më të mirë dhe më të sigurt për të gjithë, Le të prehet në paqe” – shprehet Xhaferi