Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj premtoi hedhjen e themeleve për ndërtimin e 17 shkollave të reja

Ky fillim viti ka nisur i mbarë për të gjithë komunitetet e njësive 1 dhe 2 në kryeqytet. Një prej shkollave ikonë të Tiranës, gjimnazi “Ismail Qemali”, ka hapur dyert këtë fillim viti me standarde moderne. Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e plotë të klasave, palestrës dhe terreneve sportive të jashtme, ndërsa ka instaluar edhe sistemin e ngrohjes qendrore.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputetja e PS, Vasilika Hysi, inspektoi mjediset e rikonstruktuara dhe tha: “Jam shumë i lumtur që ia mbërritëm kësaj dite, që shkolla “Ismail Qemali” të hidhej në tokë e të ringrihej nga e para, tamam si një feniks për këtë vit të ri. Të gjithë nxënësit të cilët me shumë mirëkuptim kanë “bujtur” në shkollat e tjera, sot kanë një ambient fantastik të rinovuar, duke filluar nga fushat. Është ndër të vetmet shkolla që ka edhe fushë tenisi, edhe volejbolli, edhe futbolli e basketbolli, ka një palestër, ka një sallë force, ka gjithë ndriçimin LED, ka një ngrohje me pelet”.

Brenda një kohe të shkurtër, Bashkia e Tiranës ka realizuar ndërhyrje cilësore për përmirësimin e infrastrukturës në shumicën e gjimnazeve të kryeqytetit, ndërkohë që shumë shpejt do t’i shtohen edhe 17 shkolla të reja. “Një nga arsyet pse kemi një mbipopullim në këtë shkollë është kryesisht prej cilësisë, megjithatë hapja e shkollave të reja dhe fillimi i 17 themeleve për 17 shkolla të reja do të ulë edhe këtë presion. Jam i lumtur që edhe “Ismail Qermali”, brenda këtij viti, do të shkojë në parametrat normalë të raportit të nxënësve me mësuesit; pra, klasa të përballueshme dhe jo të mbingarkuara. Hapja e shkollave të reja do të kërkojë bashkëpunim me prindërit, që fëmijët të regjistrohen ku e kanë shkollën e tyre më të afërt”, tha Veliaj.

Krahas përmirësimit të infrastrukturës, në shkollat e kryeqytetit japin mësim edhe mësuesit më të mirë të përzgjedhur nga portali “Mësues për Shqipërinë”.