Kryetari Veseli përshëndet ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës në Parlamentin e Maqedonisë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh lider i PDK-së, ka uruar deputetët e Kuvendit të Maqedonisë, të cilët e kanë ratifikuar Marrëveshjen e Prespës ndërmjet Maqedonisë e Greqisë.

Veseli ka thënë se nëpërmjet kësaj vote konsolidohet paqja dhe stabiliteti në mbarë rajonin dhe dëshmohet edhe njëherë se dialogu e mirëkuptimi është mënyra më e mirë për të zgjidhur problemet e trashëguara nga e kaluara.

Sipas kreut të Kuvendit të Kosovës, vota e deputetëve shqiptarë të Maqedonisë ishte vendimtare në këtë proces.

Ky është statusi i Kryetarit Veseli në fb:

“Urimet më të mira për votën historike që kolegët e mi në Shkup sapo kanë dhënë për të ratifikuar marrëveshjen e Prespës. Ky vendim zhbllokon njëherë e mirë rrugën e integrimeve për shtetin mik tonin dhe përshpejton anëtarësimin në NATO dhe BE, jo vetëm të Maqedonisë por të mbarë rajonit tonë. Nëpërmjet kësaj vote konsolidohet paqja dhe stabiliteti në mbarë rajonin dhe dëshmohet edhe njëherë se dialogu e mirëkuptimi është mënyra më e mirë për të zgjidhur problemet e trashëguara nga e kaluara. Edhe njëherë vota e bashkëkombësve tanë u dëshmua vendimtare për këtë rrugëtim prandaj merita e mirënjohje të veçantë iu takon deputetëve shqiptarë që e shtynë përpara këtë proces.”