KSHZ: Deri në orën 15 dalja 30,34 për qind

Deri në orën 15:00 dalja në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale është 30,34 për qind. Votimi është duke u zhvilluar qetë, pa ndërprerje dhe pa parregullsi, informoi në konferencën e sotme për shtyp zëdhënësja e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Lupka Guguçevska.

Deri në orën 15 kanë votuar 527.068 sipas 95,67 për qind të të dhënave të përpunuara nga vendvotimet prej të cilave kanë arritur të dhëna në KSHZ.

“Dalje më të madhe deri në orën 15:00 ka në komunat Makedonski Brod – 49,45 për qind, Kriva Pallankë – 52,61, Demir Kapi – 49,17, Demir Hisar – 48.09 dhe Krushevë 47,68 për qind. Dalje më të vogël ka në komunat Zhelinë – 9,03, Bogovinë – 10.49 dhe Qendra e Zhupës – 11.96 për qind”, informon Guguçevska.

Dalja në komunat Novosellë dhe Ohër ku votohet për kryetar komune deri në orën 15 është 33,87 dhe 35,1 për qind.

“Në komunën e Novosellës deri në orën 15 kanë votuar gjithsej 3.859 votues apo 33,87 për qind. Në Ohër gjithsej 18.347 apo 35,1 për qind”, deklaroi Guguçevska.

Në pyetjen e gazetarëve Guguçevska, konfirmoi se deri në këtë moment në KSHZ ka ardhur vetëm një ankesë e cila ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtës personale zgjedhore.

“Një votues nga Negotina nuk është regjistruar në listën e vetme zgjedhore dhe për këtë ankesë KSHZ do të vendosë në seancë”, deklaroi Guguçevska.

Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale dalja deri në orën 15 ishte 28,89 për qind. Konferenca e radhës për shtyp e KSHZ-së është caktuar për në orën 17:30.