LSDM e BDI nuk mund të jenë një! Bexheti e quan gafë deklaratën e Artan Grubit

“Ne nga sot, Kryeministri Zaev dhe ne do te jemi një, për të mirën e qytetarëve”, deklaroi Artan Grubi. (30.08.2020)

Kështu pati deklaruar Artan Grubi nga BDI, ditën kur u zgjodh Qeveria e re, e ai u emërua zëvendëskryeministër i parë. Po a janë një LSDM-ja e BDI-ja, të cilat kanë hyrë në vitin e katërt të bashkëqeverisjes? Jo të gjithë brenda partisë integriste mendojnë kështu.

TV21: A janë pritje që BDI-ja të bëhen një me LSDM-në?

Blerim Bexheti: “Jo, jo… Kushdo që e ka thënë, ose e ka thënë prej merakut ose e ka thënë prej padijes”.

Shprehjen “jemi një” Bexheti e quan gafë. Pohon se mes dy subjekteve ka shumë dallime, por duhet të gjenden pikat e përbashkëta. Se nuk mund të jenë një, si shembull ai përmendi kryetarin e Qendrës, i cili deklaron se nuk njeh pavarësinë e Kosovës.

TV21: Por nuk jeni as kundër asaj “një-je”, nëse e lejoni, po them politikisht, që edhe kjo të kapërcejë ashtu fshehurazi si nga Qeveria ashtu edhe nga partia.

Blerim Bexheti: “Individë të caktuar mund të prononcohen në forma të ndryshme”.

TV21: Ata individ janë të partive..

Blerim Bexheti: “Por megjithatë, nuk është prononcim i kryetarit z.Ali Ahmeti, do me thënë është prononcim individual”.

TV21 kërkoi nga zëvendëskryeministri Grubi ri sqarim për deklaratën e dhënë, por nga kabineti i tij na thanë se Grubi nuk e ka ndjekur emisionin dhe nuk mund të komentoj deklaratat të cilat nuk i ka dëgjuar ose lexuar, në veçanti pa marrë në konsideratë kontekstin e bisedës.

Dega e Sarajit në kabinetin aktual qeveritar nuk ka asnjë ministër, dhe vetëm një zëvendësministër, ndërkohë që dega e Çairit ka marrë dy prej posteve më të larta, atë të zëvendëskryeministrit të parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme. Kjo kishte ndezur edhe pakënaqësi në radhët e degës, e madje përflitet edhe për një grup të ashtuquajtur “grupi i zjarrit”.

Blerim Bexheti: “Jemi në periudhë kur realisht çdo qeveri ka 100 ditë…duket të jepet një mundësi…

TV21: Do me thënë po flisni për një armëpushim?! A ka armëpushim mes të pakënaqurve? Madje ka dhe emër “grupi i zjarrit” është në opinion…

Blerim Bexheti: “Nuk e di…nuk di…sinqerisht nuk di…”

TV21: Po ju qeshet…

Blerim Bexheti: “Emri më erdhi interesant… Saraji ka votuar për një program, për një ekip, qytetarët e Komunës Saraj, me qenë se edhe e kam udhëhequr shtabin e BDI-së aty, kanë votuar për një program, për një ekip, për një agjendë 4-vjeçare të shqiptarëve që i prin kryetari Ali Ahmeti…”.

TV21: Po i përgjithësoni shumë gjërat…”.

Në fund Bexheti përmendi interpelancën. Nuk tha se do të kenë një të tillë për Qeverinë aktuale, po vetëm shtoi se si jurist po tregon për procedurat, se në 100 ditët e para Qeveria nuk ngacmohet por më pas mund të kërkohen shpjegime për veprimet.