Luftë e ashpër fjalësh mes Turqisë e Izraelit

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, i është përgjigjur kritikave që kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu bëri në adresë të presidentit turk, Rexhep Tayyip Erdoğan.

Çavuşoğlu nëpërmjet Twitter-it “shpërtheu” ndaj Netanyahut, duke përdorur fotografitë e 16 vjeçarit Fevzi el-Xhunejdi, emri i të cilit është bërë simbol i rezistencës së Kudsit.

Adoleshenti me sy “të lidhur” u arrestua nga një numër i madh i izraelitëve, ndërsa e tillë ishte edhe historia e dëshmorit Fadi Abu Salah i cili kishte marrë pjesë në rezistencën palestineze.

“Okupatori që godet njerëz të shtrirë në tokë është lehtësisht i ofenduar. Netanjahu, i cili bombardon fëmijët në plazhe, është një vrasës gjakftohtë i kohëve moderne, përgjegjës për masakrat e mijëra palestinezëve të pafajshëm. Turqia asnjëherë nuk do të ndalojë ta ekspozojë të vërtetën”, shkruan kryediplomati turk.

Ndërkohë më herët Netanjahu kishte “sulmuar” në Twitter presidentin turk Erdoğan, duke thënë se ai “është pushtuesi i Qipros Veriore, ndërsa ushtria e tij po masakron gratë dhe fëmijët në fshatrat kurde brenda dhe jashtë Turqisë, ndaj nuk duhet të guxojë të mbajë leksione për Izraelin”.