Malësia e Shkupit, e bllokuar nga bora

Banorët e fshatrave malorë Brezë, Malinë, Tanushë mbeten të bllokuar tashmë disa ditë me radhë. Në vazhdimësi apelojnë deri tek përfaqësuesit që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për zhbllokimin e rrugës. Situatë alarmante paraqitet edhe me personat e sëmurë të cilët kanë nevojë për kurim në spitalet e vendit. Banorët shprehen se edhe rezervat ushqimore i kanë nga fundi.

Ekipi i televizionit Alsat tentoi të vizitoj fshatrat malorë Tanushë, Malinë dhe Brezë për të parë nga afër banorët e këtyre fshatrave të cilët kanë mbetur të bllokuar tashmë disa ditë, por për shkak se rruga është ende e pa pastruar dhe e bllokuar nga bora nuk mundëm të ngjitemi deri atje.”

Rrugët janë të bllokuara tërësisht, lëvizje nuk ka, mundem të arrij vetëm tek kafshët edhe atë me vështirësi. Askush nuk ndërmerr masa, as pushteti lokal as ai qendror. Shumë pak ushqime kemi, gjithçka është kah fundi, vazhdimisht ka reshje të borës .Dru kemi aq sa kemi nëpër oborr, nëse harxhohen edhe ato nuk dimë çka të bëjmë. Fshatarët e shpërngulur prej këtu kanë shkuar deri te komuna, kreu komunal nuk është aty nuk iu del para syve. Brezë, Malinë, Tanushë asnjë makineri nuk punon për pastrimin e rrugëve”. – u shpreh Ajet Shabani- Banor i Malinës

ALSAT prej ditës së djeshme i është drejtuar komunës së Çuçer Sandevës për të mësuar se pse nuk po pastrohen rrugët e fshatrave të lartpërmendura, por, përgjigje nuk morëm as sot. Ndërkohë nga Enti Hidrometeorologjik njoftojnë se edhe gjatë ditëve të ardhshme do të mbizotërojë mot i ftohtë. Në pjesën më të madhe të vendit temperaturat ardhshme do të bien deri në minus 10 gradë.

Sot kemi kohë të ndryshueshme me vranësira, në pjesët më të larta perëndimore paradite kishte reshje të dobëta dëbore. Deri në fund të ditës do kemi ulje të vranësirave, gjatë natës do ketë kohë të kthjellët, kjo do të sjell temperatura mjaft të ulëta mëngjesin e ardhshëm në intervalin -18 deri në -8. Të mërkurën nën ndikimin e një vale të re të ftohtit do kemi kohë me vranësira me reshje bore që do të jenë më intensive në pjesët perëndimore, reshje do ketë edhe të enjten.” – theksoi Lençe Rizova- sinoptikane

Edhe nga ndërmarrja shtetërore Rrugët e Maqedonisë njoftojnë se reshjet e dëborës me intensitet të mesëm po bien në Mavrovë, ndërsa në drejtimin Mavrovë-Dibër ka ndalesë të qarkullimit për automjetet e rënda. Rrugë pjesërisht të kalueshme hasen thuajse në të gjithë zonat rurale.