Mickoski: Organizatat botërore Maqedoninë e njohin si prodhuese të korrupsionit

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski në kuadër të vizitës së tij në Bruksel realizoi takim edhe me kryetarin e Partisë Popullore Evropiane, Joseph Daul.

Në takim u bisedua për gjendjen aktuale politike, sfidat e Maqedonisë dhe bashkëpunimi reciprok me Partinë Popullore Evropiane.

Kreu i VMRO-DPMNE-së, shprehu shqetësimin për gjendjen e korrupsionit dhe krimit në Maqedoni.

“Organizatat ndërkombëtare Maqedoninë e njohin si prodhuese të korrupsionit që mbrohet nga shteti. Këtë e thotë edhe raporti i fundit i ‘Transaprency International’ ku Maqedoninë e ka vendosur në fund të Evropës. Këtu është edhe gjendja e rëndë ekonomike, thuajse BPV-ja më e vogël në Evropë me rritjen më të ulët në Evropë”, tha mes tjerash Mickoski.

Mickoski dhe Daul shprehën angazhimin e përbashkët për vazhdimin e thellimit të bashkëpunimit të VMRO-DPMNE-së me Partinë Popullore Evropiane.