Ministri Bekteshi vizitoi kompanitë e rajonit të Pollogut

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi sot ka vizituar kompanitë e rajonit të Pollogut. Me këtë rast ai ka vizituar kompaninë “Vezë Sharri” sallonin “Auto Cem” dhe “Metaleks”- kompani për prodhime të metalit.

Ministri Bekteshi u ka ofruar mbështetje kompanive në fjalë dhe njëherësh i ka njoftuar me masat që ofrohen nga shteti.

Ndryshe,Shoqatës për prodhim, tregti dhe shërbime “Elektro Sharri” në Trebosh nga ana e Komisionit rregullator i është dhënë licencë për prodhim të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme të biogazit dhe biomasës me vlefshmëri të licencës deri në 03.02.2050.

“Të njëjtës Shoqatë në shkurt të vitit 2015 i është dhënë vendim i përfitimit të statusit të prodhuesit preferencial të energjisë elektrike nga  burime të rinovueshme të energjisë së biogazit dhe biomasës ‘Termocentrali i gazit Elektro Sharri’ me fuqi të instalimit prej 999 kë me lokacion në Trebosh të komunës së Zhelinës. Fuqia e instaluar e termocentralit është 999 kë, ndërsa prodhimi i planifikuar vjetor i energjisë elektrike arrin në 8.191.800 kw për orë. Ky vendim, vlen deri më datë 20.02.2030”, bëjnë të ditur nga ministria e Ekonomisë.

Poashtu, për këtë “Termocentral të gazit Elektro Sharri” jepet pëlqim për tarifë preferenciale prej 18 €¢/kwh me periudhë të shfrytëzimit të tarifës prej 15 vjetësh.

Ministri Bekteshi gjatë ditës ka vizituar edhe sallonin “Auto Cem “ dhe kompaninë për prodhime të metalit “Metalex”. Gjatë  bashkëbisedimeve me pronarët e këtyre kompanive u vu ne theks mungesa e kuadrove të reja për këto profile ndërsa ministri Bekteshi I njohtoi pronarët e këtyre kompanive  se ai si minister por dhe si qeveri janë të interesuar për gjetjen e mekanizmave më të mire për zgjidhjen e këtij problemi.

Ndërkohë, lidhur me gjendjen me protestat e pazarxhinjve në Shkup rreth zbatimit të Ligjit për tregti të tregjeve të gjelbra, ministri Bekteshi tha se kjo mund të zgjidhet me bisedime të ndërsjella, por edhe përfshirjen e institucioneve tjera në këtë proces.

Ai theksoi se për kërkesën rreth shtyrjes së zbatimit të Ligjit ose heqjen e tij si ministri nuk kanë kompetenca, por se kjo është kompetencë e Kuvendit.

“Në momentin e miratimit të këtij Ligji në janar të vitit të kaluar oda e vetme e cila punonte atëherë dhe e cila dërgoi kërkesë për dhënien e licencave për shitje në tregjet e gjelbra ishte Oda e Tregtarëve të Maqedonisë. Odat tjera të cilat tani dërgojnë kërkesë që edhe ato të marrin pjesë në dhënien e këtyre licencave janë formuar shumë më vonë. Si Ministri jemi të obliguar që t’i zbatojmë detyrimet të cilat dalin nga ky ligj dhe kompetenca jonë e vetme ishte sjellja e akteve dhe rregullave nënligjore gjë të cilën edhe e bëmë. Për heqjen ose shtyrjen e Ligjit të drejtë ka vetëm Kuvendi i Republikës së Maqedonisë”, tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.