Ministri i arsimit, Dr.Arbër Ademi: Investuam 40 milion denarë për sallën sportive të SHF “Mustafa Kemal Ataturk”, në Gostivar

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, dr. Arbër Ademi mori pjesë në inaugurimin e sallës së re sportive të Shkollës Fillore “Mustafa Kemal Ataturk”, në Gostivar, e cila sikurse tha ministri përveç se për nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle është i rëndësishëm edhe për të rinjtë tjerë që merren me rekreacion dhe sport, si dhe për klubet, shoqatat dhe organizatat e ndryshme – të cilët do të mund t’i zhvillojnë trajnimet e tyre, si dhe garat profesionale, në këtë objekt të ndërtuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Salla i plotëson të gjitha standardet që i kërkojnë federatat dhe organizatat nacionale dhe ndërkombëtare, për çka ministri Ademi shprehu bindjen se “prej këtu do të dalin sportistë shembullorë, do të shënohen suksese dhe arritje të rëndësishme të cilat do do të arsyetojnë përcaktimet se shteti duhet të investojë më shumë në sport dhe në infrastrukturën sportive në të gjitha rajonet dhe komunat, më mënyrë të barabartë”. Ademi, gjithashtu bëri të ditur se për këtë investim kapital janë shpenzuar 40 milionë denarë, nga projektit për “Ndërtimin dhe pajisjen e 145 sallave sportive në shkolla” që financohet përmes Bankës për Zhvillim pranë Këshillit të Evropës dhe buxhetit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Deri tani, përmes këtij projekti tërësisht janë ndërtuar dhe pajisur 65 objekteve sportive, prej të cilave 26 objekte në shkollat e mesme dhe 39 në shkollat fillore. Sakaq, “vetëm në vitin 2018 ia arritëm të ndërtojmë 5 objekte, si dhe të nisim ndërtimin e 9 objekteve tjera, aktivitete ndërtimore të të cilave janë në vijim e sipër dhe do të përmbyllen në etapa të caktuara”, nënvizoi ministri.

Salla sportive e SHF “Mustafa Kemal Ataturk”, përfshin një sipërfaqe prej 1.300 metra katrorë dhe është e pajisur me gardërobë, dush-kabina, hapësira për vendosjen e rekuizitave sportive, si dhe ambiente të posaçme për mësuesit e sportit dhe aktiviteteve sportive. Po ashtu, kjo sallë është e pajisur edhe me rekuizita për basketboll, hendboll, futboll, volejboll, pingpong dhe gjimnastikë.