Ministrja Hoxha mban ligjëratë për studentët në Poloni: Kosova është faktor stabiliteti në rajon

Në prani të stafit akademik dhe studentëve ndërkombëtar të Kolegjit të parë në botë për çështje të Evropës, College of Europe në Natolin, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, mbajti ligjëratë për demokratizimin dhe ri-bashkimin e Evropës. Ne të gjithë e kujtojmë sa e vështirë ishte e kaluara, por ne gjithashtu e dimë se sa sfiduese mund të jetë e ardhmja, ceku Ministrja Hoxha. Kosova po ecën në konsolidimin e mëtejshëm të shtetësisë së saj, vuri në dukje Ministrja Hoxha, me perspektivë të plotë të BE-së si çdo vend tjetër në rajon. Rajoni i Ballkanit po ndërton vizion të ri të së ardhmes, nëpërmjet krijimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore që hap rrugën e integrimit në familjen evropiane. Rruga drejt integrimit, kërkon përpjekjet më të forta nga ana jonë për të përshpejtuar ritmin e reformave të brendshme, potencoi Ministrja, sidomos në zbatimin e MSA-së duke vënë në pah se Kosova ka përmbushur pritshmërinë për zbatimin e MSA-së për vitin 2018. Republika e Kosovës është i vetmi vend në Evropë me regjimin e vizave që nuk i lejon qytetarët e Kosovës të hyjnë në Zonën Shengen. Tani është në duart e Këshillit të Ministrave të vendosë për liberalizimin e vizave. Ne kemi demonstruar se jemi shembull i bashkëpunimit rajonal, ceku Ministrja Hoxha, jemi promotor i marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe faktor i paqes dhe stabilitetit. Pas fjalimit, Ministres Hoxha iu parashtruan edhe pyetje nga studentët të cilët u interesuan për bashkëpunimin rajonal si dhe rreth sfidave të procesit integrues. Kolegji u themelua në vitin 1949 nga figurat e mëdha evropiane si Salvador De Madariaga, Winston Churchill, Paul Henri Spaak dhe Alcide De Gasperi pas Kongresit të parë të Lëvizjes Evropiane në Hagë më 1948.