Mogerini dhe Tusk – Zaevit: Jeni kthyer në rrugën evropiane

Kryeministri Zoran Zaev sot po qëndron në vizitë në Bruksel bashkë me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov.

Zaev gjatë vizitës ka realizuar takim me kryetarin e Këshillit të Evropës, Donald Tusk, ndërkaq ka marrë pjesë dhe në darkën e punës me përfaqësuesit e lartë të Ballkanit Perëndimor, por ka realizuar takim bilateral edhe me përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini.

“Në takimin me Tusk, janë përshëndetur politikat gjithëpërfshirëse të kryeministrit Zaev dhe përpjekjet e Qeverisë, nëpërmjet procesit politik për bashkim që të miratohen ndryshimet kushtetuese, me qëllim të realizmit të Marrëveshjes së Prespës dhe nevojat e reformave nga Plani 18. Është konstatuar se kjo qasje politike, gjegjësisht zgjidhje e çështjeve të mëdha me fqinjët dhe miratimi i reformave kyçe në gjyqësor, siguri, administratë publike, media,luftë kundër korrupsionit, e kanë sjellë Maqedoninë në rrugën e vërtetë të integrimeve evropiane”, kumtuan nga Qeveria.

Porosia nga Tusk, thonë nga Qeveria, është se nëse Maqedonia vazhdon me këtë tempo, nëse realizohet Marrëveshja e Prespës dhe nëse ka zbatim të reformave kyçe prioritare, mundet që të kompensohet koha e humbur në procesin integrues dhe me të drejtë të shpresojmë se Maqedonia do t’i fillojë bisedimet në qershor të vitit 2019.

Nga ana tjetër, gjatë takimit tjetër, Mogerini i ka përshëndetur aktuale të Qeverisë dhe ka konstatuar se Maqedonia është kthyer në rrugën e drejtë të BE-së dhe ka bërë shumë hapa përpara në procesin euro-integrues.

Është përshëndetur edhe gjithpërfshirja, zgjidhja e çështjeve me fqinjët, procesi i reformave për Planin 18, por edhe miratimi i ligjit për amnisti ,që duhet t’i ndihmojë procesit për pajtim dhe të sigurojë sundim të ligjit.

Në takim është theksuar gjithashtu edhe rëndësia që të përmbyllet çështja e votimit të Marrëveshjes së Prespës, gjegjësisht, të votohen ndryshimet kushtetuese dhe Marrëveshja e Prespës të hyjë në fuqi.