Mogherini-t nuk i beson askush në Kosovë

Mogherini po kryeson listën e njerëzve të padëshiruar nga kosovarët dhe kjo nuk është beteja e vetme e saj. Edhe Kryeministri Ramush Haradinaj ka hapur një seri përplasjesh me ndërmjetësuesen, që, sipas tij, e ka humbur kredibilitetin. Eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein, eksperti për Ballkan, David Phillips dhe analisti Astrit Gashi tregojnë për Gazetën Express nëse Mogherinit i ka mbetur vend në fotografinë e negociatave, si diplomate e paanshme
Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian, konsiderohet të jetë kthyer në palë kur bëhet fjalë për dialogun Kosovë-Serbi, ndonëse është e thirrur të ndërmjetësojë mes tyre.

Kosovarët e akuzojnë se ajo po mban anën e Serbisë, ndërsa me Mogherini-n nuk është i kënaqur as Kryeministri Ramush Haradinaj.

Të hënën i pari ekzekutivit pati një përballje me Përfaqësuesen e Lartë gjatë mbledhjes në Bruksel, ku përmendi se ndërmjetësimi nga BE ka humbur kredibilitetin.

Mogherini iu hakmor Haradinajt përmes një letre të dërguar një ditë pas përplasjes në Bruksel. Aty i potencoi se Presidenti Thaçi është i vetmi lider me të cilin ajo merret gjatë negociatave. Ndërsa, kur ftoi kryeministrat e Ballkanit, anashkaloi Haradinajn për t’i çuar ftesë të preferuarit të saj, Thaçit.

Në një postim të Mogherinit për 70 vjetorin e Deklaratës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, janë lënë mbi 17 mijë komente. Shumica absolute e tyre janë komente të qytetarëve të Kosovës që e fajësojnë Përfaqësuesen e Lartë se postimi i saj është i pavlerë derisa Kosovës i shkelen të drejtat.

David Phillips, profesor i Universitetit Kolumbia Drejtor i Institutit të Paqes në Universitetin e Kolumbias në New York, i cili është njohës i Ballkanit, ka thënë se Mogherini ka dështuar në rolin e saj.

“Përpjekjet e saj kanë qenë të pasuksesshme deri më tani. Ndërmjetësuesja duhet të jetë më proaktive, të bëjë diplomaci lëvizëse, e jo të organizojë takime në Bruksel. Ndërmjetësimit i duhet më shumë pushtet. Unë moti kam thënë që SHBA duhet të bashkëkryesojë dialogun”.

Phillips thotë se me Mogherini-n si ndërmjetësuese, dialogut i mungon transparenca dhe sipas tij, SHBA duhet të hyjë si ndërmjetësuese mes Kosovës e Serbisë.

“Nuk e dimë çka po ndodh, sepse dialogut i mungon transparenca. Është zhvilluar prapa dyerve të mbyllura. Dialogut i duhet një ndërmjetësues i fuqishëm, jo një lehtësim pasiv”, ka thënë ai.

Për çfarëdo konfrontimi mes Kosovës e Serbisë për shkak të dështimit të dialogut, Phillips thotë se do të fajësohet Mogherini.

“Nëse dialogu dështon, ka gjasa që të ketë konfrontim të dhunshëm mes Kosovës dhe Serbisë. Do të fajësohet Mogherini. Debati i brendshëm në Kosovë për ndryshimin e kufijve ka qenë një hutim i madh. Politikanët kosovarë duhet të fokusohen në normalizim, që nënkupton njohjen e Kosovës nga Serbia me kufijtë e tanishëm.

Ndërsa në Bashkimin Evropian nuk dihet se sa të kënaqur janë vendet anëtare për punën që po bën Mogherini. Megjithatë Gjermania është ankuar disa herë se nuk po bën mjaftushëm në rolin e saj.

Eurodeputeti gjerman, Knut Fleckenstein mohon se italiania që ndërmjetëson negociatat, po mban anë.

Kjo është pjesë e marrëveshjes, që ajo të jetë ndërmjetësuese në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe mendoj se ajo po bën mjaftueshëm që këto relacione të rregullohen”, është shprehur eurodeputeti kur është pyetur se si e sheh rolin e Mogherinit në normalizimin e raporteve mes Kosovës e Serbisë.

Ndryshe nga siç e shohin kosovarët, sipas Fleckenstein-it, Përfaqësuesja e Lartë ua do të mirën të dyja palëve.

“Ajo ua do të mirën popullit kosovar dhe atij serb. Ajo, madje disa herë e ka bërë të ditur se është e interesuar për mirëqenien e popullit kosovar dhe atij serb”, është shprehur Fleckenstein për Gazetën Express.

Analisti Astrit Gashi thotë se Përfaqësuesja e Lartë ka qasje të pabarabartë në raport me Kosovën dhe Serbinë.

Ndryshe nga siç e shohin kosovarët, sipas Fleckenstein-it, Përfaqësuesja e Lartë ua do të mirën të dyja palëve.

“Ajo ua do të mirën popullit kosovar dhe atij serb. Ajo, madje disa herë e ka bërë të ditur se është e interesuar për mirëqenien e popullit kosovar dhe atij serb”, është shprehur Fleckenstein për Gazetën Express.

Analisti Astrit Gashi thotë se Përfaqësuesja e Lartë ka qasje të pabarabartë në raport me Kosovën dhe Serbinë.

“Kredibiliteti i ndërmjetësueses së BE-së Frederica Mogherini në Kosove është gati se i rënë plotësisht. Kjo vjen si pasojë e qasjes së saj jo të barabartë ndaj Kosovës dhe Serbisë, gjate dialogut që ka ndërmjetësuar”, është shprehur Gashi.

Sipas tij, pikë e dobët është edhe besimi qe është krijuar tek politika dhe opinioni publik se Mogherini është mbështetësja kryesore e shkëmbimit te territorit mes Kosovës dhe Serbisë.

Shkëmbimin e territorit e ka përmendur edhe kryeministri Haradinaj të hënën në Bruksel.

“Megjithatë, njëzet vjet pas luftës, dhjetë vjet pas pavarësisë, dhe pesë vjet pas Marrëveshjes së Brukselit, realiteti është se, përparimi drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë minimal, dhe në fakt tani ka dalë krejtësisht nga binarët, veçanërisht me diskutimin publik mbi idenë fatale të korrigjimit të kufirit dhe shkëmbimit të territorit; Ka dëmtuar seriozisht kredibilitetin e ndërmjetësuesit, dhe ka dëmtuar arritjet që kemi bërë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE për më shumë se 7 vjet”, tha Haradinaj.

Federica Mogherini mban postin e zëvendëspresidentes së Komisionit Evropian prej vitit 2014. /Express/