Ndryshimet kushtetuese, Xhaferi: Të merret me rezerva, nevojitet shumicë e qëndrueshme

Procesi i ndryshimeve kushtetuese do të duhet të merret me shumë rezerva në drejtim të ruajtjes së shumicës aktuale, vlerëson kryeparlamentari, Talat Xhaferi, në emisionin “Argument” në TVM2.

Xhaferi konsideron se për pasjen e një shumice të qëndrueshme do të duhet të punohet në rritjen e shumicës aktuale.

“Raportet janë aq të brishta që një situatë e papërcaktuar ose e paparashikuar mund të ketë ndikime të caktuara edhe në vendimmarrjen e deputetëve, për atë arsye mendoj se duhet të mbajmë llogari të gjithë ne me sjelljen tonë dhe veprimet tona që mos të provokojmë dhe mos të jemi argument për ndryshim qëndrimesh brenda shumicës aktuale, por ka nevojë për t’u rritur ajo shumicë dhe duhet të punojmë të rrisim atë shumicë deri në votimin përfundimtar”,- tha kryeparlamentari, Talat Xhaferi.

Xhaferi tha se bashkë me Ligjin për ratifikim të Marrëveshjes për ndryshimet kushtetuese, në Gazetën Zyrtare parashikon të publikohet edhe Ligji për gjuhët, që nuk u dekretua nga presidenti Ivanov.

Kryeparlamentari thotë se edhe përkundër Ligjit të amnistisë, gjykata do të vendosë se kush do të amnistohet pas kërkesave individuale të të akuzuarve.

“Çdo njëri që mendon se nuk ka faj, do t’i drejtohet organit përkatës që të mund edhe në atë procedurë të tregojë pafajësinë e vet, por nëse pushteti gjyqësor vlerëson të kundërtën, besoj që nuk mund të përfshihet”,- u shpreh kryeparlamentari, Talat Xhaferi.

Kryeparlamentari Xhaferi në fillim të 2019-s paralajmëron edhe formimin e komisionit anti-korrupsion si dhe shpalljen e zgjedhjeve presidenciale më 2 apo 3 shkurt. (Tvm2)