“Nëntor kulture” në Kërçovë, aktivitete të shumta për nder të festave

Si zakonisht në këtë periudhë të vitit, si në mbarë trevat shqiptare, ashtu edhe në Kërçovë, do të organizohen aktivitete të ndryshme kushtuar Alfabetit shqip dhe Ditës së flamurit kombëtar, njofton drejtori i Qendrës për Kulturë në Kërçovë, Mazllam Osmani, i cili shton se aktivitetet e planifikuara do të fillojnë me manifestimin për shënimin e Ditës së Alfabetit Shqip dhe do të mbyllen me koncertin e organizuar për Ditën e Pavarësisë së Shtetit Shqiptar.

Këto aktivitete që do të realizohen në Qendrën për Kulturë në Kërçovë, për nder të dy datave të rëndësishme të historiografisë shqiptare, mbështeten nga Ministria e Kulturës dhe komuna e Kërçovës duke shpresuar se publiku kërçovar do të mbetet i kënaqur me përmbajtjen dhe cilësinë e këtyre organizimeve kulturore që do të zhvillohen nën moton “Nëntor kulture” në Kërçovë.