Para një jave takoi Gruevskin sot erdhi në gjykatë, Trajkovski: Në Budapest isha për trajtim mjekësorë

Para një jave në Budapest u pa me të arratisurin Nikolla Gruevski, ndërsa sot Aleksandar Trajkovski u paraqit në Gjykatën Themelore Shkupi 1, si një prej të akuzuarve në rastin “Dhuna në Komunën Qendër”.

Jashtë nuk pranoi të përgjigjet para kamerave ndërsa brenda gjykatës Trajkovski u tha gazetarëve se në Hungari ka qenë për kontrolle të specializuara mjekësore për sinuset dhe rrugët e frymëmarrjes. Madje ai me vete kishte marrë edhe dokumentet dhe llogaritë fiskale të kontrollit mjekësor, që do t’i dorëzojë në gjykatë, Prokurori Speciale, si dhe në vendin e tij të punës “Doganat e Maqedonisë”.

Trajkovski që gjithashtu është këshilltar i VMRO-DPMNE-së në Komunën e Gazi Babës, nuk deshi ta komentojë gjatë takimin me Gruevskin, por vetëm tha se me të është takuar si bashkë partiak dhe lider i mëparshëm. Për mjekimin e tij në Hungari u interesua edhe prokurorja speciale Fatime Fetai. Ajo, në interes të procedurës dhe prezencës së Trajkovskit në të ardhmen, e pyeti të akuzuarin nëse përsëri do të shkojë për kontrolle në Budapest. Trajkovski iu përgjigj se tashmë mjekët kanë sjellë konstatime dhe se do të mjekohet në Maqedoni.

Në lëndën “Dhuna në Komunën Qendër”, i akuzuar është edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski. Tre avokatët e tij sot vendosën që për arsye procedurale të mos e përfaqësojë më Gruevskin në këtë lëndë të PSP-së.

“Kjo sepse ligji për procedurë penale parasheh mundësinë që i akuzuari të kërkojë përsëritje të procedurës në afat prej një viti që nga kur është njoftuar për gjykim të plotfuqishëm kundër tij. Nëse në si mbrojtës që kemi komunikim me të qëndrojmë në procedurë, do të krijohet dyshimi se ne e kemi informuar dhe se për ato arsye do të fillojë të rrjedhë afati njëvjeçar për përsëritje të procedurës”, tha Boro Tasevski, avokat i Nikolla Gruevskit. Edhe avokati Dimitar Dangov në seancën e fundit në lëndën “Titanik” lajmëroi se do të heq dorë nga përfaqësimi i Nikolla Greuvskit në këtë lëndë. Ka kaluar më shumë së një muaj që kur ish-kryeministri u arratis nga Maqedonia dhe fitoi azil politik në Hungari. Vetëm për rastin “Tenk” ai duhet të vuajë dy vite burg. Ndërkaq në lëndën “Dhuna në Komunën Qendër”, përveç Gruevskit dhe Trajkovskit, të akuzuar janë edhe ish-ministri Janakievski, deputetja Rangellova dhe disa të tjerë. Ata akuzohen për inkurajim të dhunës që ndodhi gjatë protestave para komunës Qendër në qershor të vitit 2013.