Përjetësisht falënderues, Baca Bedri!

Nën përkujdesjen e z. Bujar Leskaj, udhëheqës i Kontrollit të Lartë të Shtetit, me fjalë hyrëse të jashtëzakonshme, së bashku me të ftuarit tjerë dhe praninë e autorit të librit “Përjetësia e dyfishtë”, Bedri Islami, u bë promovimi i librit në Tiranë.

Z. Leskaj, me fjalët e tij të përzgjedhura, me dije të thella për shekullin e kaluar dhe të ardhmen që na pret, në këtë shekull të shqiptarëve si komb, promovimin e bëri të jetë përtej çdo pritjeje për rastet e promovimit të librave historik dhe biografi të personaliteteve historike.

Aq më shumë, z. Leskaj, kontribuoi që me iniciativën e tij, dimensioni i tërësisë nacionale të prezantohet në plotni edhe me shtatore, duke dhënë idenë që në Vlorën e Flamurit dhe pavarësisë, të ngrihen shtatorja e Fehmiut dhe Xhevës.

Ky hap tejet i qëlluar, do të pasqyronte më së miri jetën dhe veprën e heroit dhe heroinës, për kombin tonë. Në Vlorë, Fehmiu dhe Xheva, do të riktheheshin jo më si vizitor në vendin ku Isa u gjunjëzua ta puthte flamurin, po në qytetin tonë të pavarësisë, krah bijve dhe bijave më të mira të kombit, Ismailit, Luigjit, Lefit dhe heronjve tjerë, duke e bërë pjesë e historisë dhe lavdisë së Vlorës.

Bedri Islami, ashtu si të gjithë ne, ishim të nderuar me promovimin e librit “Përjetësia e dyfishtë” kushtuar Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit nga kujdesi dhe niveli i organizimit.

Bedri Islami, miku ynë, i njohur si biri i Zenel Islamit, Zenelit të Migjenit, një nga liderët politik të Lëvizjes Popullore të Kosovës, e cila themeloi dhe drejtoi UÇK-në, na bëri nder jo vetëm si familje por edhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbarë kombit.

Gepostet von Ramiz Lladrovci am Dienstag, 20. November 2018

Duke qenë mik dhe bashkëveprimtar me heroin dhe heroinën e kombit, Fehmiun dhe Xhevën, Bedri Islami nëpërmjet kësaj vepre, më së miri, i lartësoi ata, për t’u bërë pjesë edhe e kujtesës tonë historike, për vlerat dhe çmimin e lirisë.

Një kritik i shquar ka shkruar se “libri kaq voluminoz për nga faktet është ndërtuar si një mozaik kujtimesh të përshkruara herë në formën e dialogut e herën të monologut, gjithmonë në funksion të dy figurave qendrore. Autori e kalon kamerën lehtësisht, herë në jetën ilegale e herë në ngushticat e burgjeve, duke e ndjekur si me kamerë të fshehtë jetën e thjeshtë të Xhevës dhe jetën heroike të Fehmiut, kudo që janë ndodhur; në Kosovë, në Kroaci, në Slloveni, në Zvicër, në Gjermani e gjetkë. Libri “Përjetësia e dyfishtë” është një vepër që aq sa lartëson figurën e lavdishme të dy heronjve, aq i bën nder vetvetes si krijues dhe lexuesit”.

Shpreh falënderim të sinqertë për z. Leskaj, në veçanti për iniciativën e tij si dhe organizimin e shkëlqyer të promovimit të librit.

Përjetësisht falënderues, Baca Bedri!