Polici Izet Demaj që humbi jetën gjatë përleshjes në bankë, u shpall zyrtarisht “Hero i Kosovës”

Polici Izet Demaj nga Istogu, i cili ka humbur jetën para disa ditësh në përleshje me një grabitës të një banke në Istog, është shpallur sot “Hero i Kosovës” nga presidenti Hashim Thaçi, njofton Zeri.

Urdhri “Hero i Kosovës” u jepet personave që kanë bërë vepra trimërie dhe sakrifice, si dhe që kanë dëshmuar veprimtari ose akte të guximit qytetar në kohë lufte apo paqeje.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, duke u bazuar në nenin 84(28) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenin 6 të Ligjit nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës, gjithashtu në nenin 6 të Ligjit nr. 04/L-070 për Dhënien e Dekoratave dhe në Rregulloren (P) nr. 04/2016, për policin e rënë heroikisht në krye të detyrës dhe në mbrojtje të qytetarëve, Izet Demaj, ka ndarë urdhrin “Hero i Kosovës””, thuhet në një komunikatë të presidencës dërguar mediave.

Vendimi, certifikata dhe urdhri “Hero i Kosovës” do t’i dorëzohen familjes Demaj.

Nga video shihet se si Demaj ishte në një qebatore kur merr vesh për rastin, nga ku çohet me vrap për t’ju dalë në ndihmë punëtorëve të bankës dhe personave të marrë peng, transmeton Periskopi.