Pritje e jashtëzakonshme nga organizatat shqiptare për Ramush Haradinaj në Michigan

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish kryeministri Ramush Haradinaj, ka vijuar me takime intensive me komunitetin shqiptar në Michigan, personalitetet e shquara dhe shoqatat atdhetare, nën organizimin e jashtëzakonshëm të Shoqatës atdhetare “Jehona e Malësisë”.

Haradinaj në një mbrëmje të paharrueshme, ka takuar liderët fetar dhe përfaqësues të organizatave shqiptare “Jehona e Malësisë”, “Malësia e Madhe”, “Kosova”, “Rapsha”, “Koja” dhe “Fishta Council”, me ç’rast ju shprehi konsideratën organizatorëve të kësaj mbrëmje, ShA “Jehona e Malësisë”.

Ai ka vlerësuar lartë angazhimin e shqiptarëve në Amerikë për Kosovën dhe çështjen kombëtare, duke theksuar se “Kosovës gjithmonë i kanë qëndruar afër bijtë e saj që jetojnë në Amerikë, në të gjitha periudhat historike dhe përpjekjet për liri”.

Postimi i plotë i z. Haradinaj:

U nderova nga pritja e Komunitetit Shqiptar në Michigan. U interesova për të arriturat e tyre, në një bashkëbisedim vëllezëror, ku merrnin pjesë përveç tjerëve edhe liderë fetar dhe përfaqësues të organizatave shqiptare “Jehona e Malësisë”, “Malësia e Madhe”, “Kosova”, “Rapsha”, “Koja” dhe “Fishta Council”.
Në takim theksova nevojën e bashkimit të shqiptarëve kudo që ndodhen për interesat e përbashkëta dhe për një Atdhe të fortë e të sigurt.
Kosovës gjithmonë i kanë qëndruar afër bijtë e saj që jetojnë në Amerikë, në të gjitha periudhat historike dhe përpjekjet për liri. Edhe sot, përpos krenarisë që e ndjejmë për të arriturat e tyre, kemi nevojë të qëndrojmë afër njëri tjetrit.