Qeveria mbështet publikimin e ligjeve në Gazetë Zyrtare, Ivanov shkeli Kushetutën

Qeveria e Maqedonisë e mbështetë publikimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe Ligjin për Ratifkimin e Marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë për ndryshimin e emrit. Kjo sipas Qeverisë, ishte e patjetërsueshme për shkak se presidenti Gjorge Ivanov e kishte shkelur Kushtetutën me ngurrimin për t’u dhënë nënshkrimin këtyre dy ligjeve. Qeveria kujtoi se të dy ligjet ishin sjellë me votat e nevojshme në Parlament, edhe atë për të dytën herë, dhe në këtë fazë, Ivanov ishte i obliguar që të nënshkruajë ligjet, dhe nuk guxonte t’i mbajë peng. Qeveria kujton se Presidenti nuk është një trup ligjvënës, dhe se disa herë me radhë i kishin apeluar që të votojë ligjet, ndërsa ai kishte refuzuar, dhe në këtë rast, është aktivizuar kompetenca e Parlamentit, e paraparë në kësi lloj situatash, dhe kjo procedurë mbështetet me ligj dhe Kushtetutë.

“Ivanovi ishte i detyruar që të nënshkruajë ligjet, por meqë ai vendosi që të shkelë Kushtetutën, ishte e patjetërsueshme që të ndërmerren masa që janë në pajtueshmëri me Kushtetutën, në mënyrë që demokracia parlamentare të funksionojë. Sipas nenit 51, paragrafi 2 nga Kushtetuta, secili është i obliguar që të respektojë Kushtetutën dhe ligjet, përfshirë edhe presidenti. Neni 74 është i qartë edhe për atë se “presidenti është i obliguar që të nënshkruajë ligjet që i sjellë Parlamenti, nëse ata sillen për herë të dytë me shumicën e nevojshme të votave” , theksohet në kumtesën e Qeverisë.