Qytetarët ngulfaten, Sadulla Duraku pret “shpëtim” nga era

Niveli i ndotjes së ajrit në dy ditët e fundit është alarmante në të gjithë Maqedoninë. Grimcat e dëmshme PM10 gjatë tërë kohës kanë qenë katërfish mbi të lejuarën. Sipas Ministrisë së Ambientit nëse të dhënat e stacioneve matëse tregojnë se edhe në ditët e ardhshme vazhdon ndotja kaq e lartë e ajrit, atëherë aktivizohen masat e jashtëzakonshme.

Ky është vendim i kombinuar dhe varet nga dy faktorë, pra edhe nga të dhënat hidrometeorologjike dhe nga stacionet matëse dhe për atë nuk është shpallur masat e jashtëzakonshme kundër ajrit të ndotur. Kemi dy faza pragu i informimit dhe pragu i alarmimit, sot nëpërmjet ministrisë tonë deri tek të gjitha institucionet është njoftuar se është tejkaluar pragu i informimit”, theksoi Jani Makraduli, zv/ministër i Ambientit Jetësor

Për momentin në fuqi është faza e parë si masë kundër ndotjes ku Ministria e Ambientit iu rekomandon qytetarëve që të mos dalin jashtë pa nevojë, sa më shumë persona të udhëtojnë në një makinë, qytetarët të kenë kujdes në ushqim dhe sa më shumë të shfrytëzohet transporti publik. Ndërsa nëse ndotja vazhdon të jetë e lartë edhe të martën atëherë do të hyjë në fuqi masa e jashtëzakonshme që nënkupton transport falas, ndërprerje të të gjitha aktiviteteve ndërtimore në të hapur si dhe rritje e kontrolleve të inspektorëve në terren.