Rama lë të hapur mundësinë për ndryshime: Por cilët ministra rrezikohen?

Kryeministri Edi Rama ka lënë të hapur mundësinë se në kabinetin qeverisës mund të ketë ndryshime.

Pas mbledhjes së kryesisë së PS, Rama tha para mediave se çdo vendim do të ndërmerret hap pas hapi dhe se për momentin ende nuk ka diçka zyrtare deri në momentin që do të mblidhet Asambleja.

“Çdo gjë hap pas hapi. Nga ana tjetër di gjithmonë radhën e lëvizjeve, mendohem gjatë përpara se të bëj çdo lëvizje. Do të bëjmë të gjitha gjërat e duhura dhe do i përgjigjemi me dinjitet shqetësimit të tyre.”

Kryeministri tha se mbledhja erdhi pas protestës studentore, duke theksuar se ai dhe mazhoranca dinë ta lexojnë zemërimin qytetar.

Por cilat ministri do ndryshohen? Deri më tani ka vetëm spekulime. Vizion Plus thekson se se Rendi, Mbrojtja dhe Diplomacia nuk do të preken. Por të tjerët janë në pikëpyetje, sidomos ata ministra mbi të cilët kohët e fundit kanë rënë bataretë e sulmeve të opozitës, studentëve dhe kritikëve.

Kurse drejtori i këtij televizioni, Sokol Balla është më konkret.

“Nga e hëna prisni më shumë Sandër Lleshaj që të futen në Qeveri. Rama duket se e ka ndarë mendjen që jo të gjitha vezët duhet të jenë për të. Ca t’i hajë edhe Lindita, edhe Damiani, edhe Arbeni (këtë mendon edhe partia e Erion Braçeve, një shumicë e heshtur dhe mbështetëse në kohë të vështirë dhe ankimtare, sa herë qeveria ‘fluturon me pras’ drejt lartësive të panjohura). Po ca vezë duhen edhe në dyert e Shëndetësisë, plot me PPP-ra dhe të pabëra, po ku ende sot vdesin foshnje në qytete periferike a thua se jetojme në Burkina Faso dhe qeveria rezidon në Uagadugu.

Ndaj të hënën, kur Edi Rama të formulojë zyrtarisht nevojën e ndryshimeve të forta në qeveri, prisni gjithnjë e më shumë “UFO” si Sandër Lleshaj të futen në qeveri. Sepse të hënën Edi RAMA nis procesin e ndryshimeve më të mëdha në një qeveri, që formalisht nuk ka rënë akoma. Një qeveri që nuk ndryshon trekëndëshin më të fortë – Mbrojtje (amerikanët), Rend (Drejtësi) – europianët, Diplomaci (ndoshta dhe Turizëm e Bujqësi), por që mesa duket do të prekë të gjitha ato sfera të jetës sociale, ekonomike dhe politike që janë menaxhuar kaq keq, qe para majit 2017,”shkruan Balla.