Rexhepi: Deri në vitin 2025, shumica e qyteteve dhe komunave do të gazifikohen

Qeveria paralajmëron aktivitete ndërtimore të shtuara për ndërtimin e gazsjellësit në vitin 2019, dhe për këtë qëllim në buxhet janë ndarë 1 miliardë e 557 milionë denarë. Drejtori i Burimeve të Energjisë të Maqedonisë (MER), Bajram Rexhepi në një intervistë për Meta thotë se sistemi i transmetimit do të jetë operacional së shpejti. Stacioni matës-rregullues (SMRG) Shtip do të jetë në gjendje për të shërbyer gjatë tremujorit të dytë të vitit 2019. SMRG Negotinë gjatë tremujorit të tretë të vitit të ardhshëm, kur planifikohet lidhja e zonave TIZ në Shtip, në atë periudhë. Të gjitha stacionet e tjera në rajonin e Pellagonisë dhe Pollogut do të jenë në funksionim kah mesi i vitit 2020.

Qeveria e ngarkoi Ministrinë e ekonomisë të krijojë grup pune që do të vendosë për modelin më efikas për zhvillimin e sistemeve të distribuimit të gazit natyror në Maqedoni. Sa i rëndësishëm është krijimi i këtyre qendrave të distribuimit për të përshpejtuar gazifikimin?

– Projekti i gazifikimit është prioritet në punën e kësaj qeverie. Ky grup punues duhet t’i propozojë qeverisë model për zhvillimin e rrjetit të distribuimit të gazit natyror në vend, me qëllime dhe pritshmëri të përcaktuara qartë. Gjegjësisht, për të lejuar lidhje deri te çdo përdorues të fundit, në të gjithë territorin e vendit, dhe për të realizuar gazifikim të shpejtë dhe efikas, veçanërisht në rajonet ku ndotja e ajrit është shqetësuese. Për të arritur këto qëllime, do të nevojitet të sigurojmë lidhje të lira për çdo familje dhe çdo përdorues të fundit, çmim të lirë për metër kub të gazit dhe t’ju ndihmojmë familjeve në përshtatjen e instalimeve të brendshme përmes subvencioneve ose kredive të lira.

Sa qendra të distribuimit nevojiten për secilën komunë, ose do të funksionojë në nivel rajonal?

– Ligji aktual për energjetikë mundëson treg liberal për operatorët e distribuimit të gazit natyror. Sipas studimit të fizibilitetit, investimi i përgjithshëm vlerësohet të jetë rreth 250 milionë euro. Duke e parë fuqinë financiare të komunave tona, stafit profesional në dispozicion dhe faktin që secila komunë do të duhet të ndërtojë qendër të dispeçimit, sistem monitorimi SCADA, sistem tëi faturimit, mirëmbajtje dhe shumë shpenzime të tjera fikse, unë personalisht jam absolutisht i bindur se ajo nuk do të funksionojë dhe se qëllimet e pritura nuk do të arrihen. Duke parë në praktikat më të mira evropiane dhe arsyet përse thirrja në vitin 2013 për krijimin e një partneriteti publik-privat ishte i pasuksesshëm (atëherë ishin të ndarë në tri rajone t koncesionit: lindje, perëndim dhe rajoni i Shkupit), mendoj se duhet të krijohet partneritet publik-privat me partner privat serioz. Ai duhet të ketë eksperiencë të madhe, me fuqi të madhe financiare, i cili do të ketë detyrim të zhvillojë rrjet në të gjithë vendin dhe të ketë detyrim që brenda 3-4 viteve të sigurojë lidhje të lira për çdo përdorues të fundit të interesuar, si në rajonet më të ndotura, ashtu edhe në të gjitha qytetet e tjera të vendit. Në të njëjtën kohë, pa e çrregulluar tregun liberal, çdo operator tjetër që dëshiron të ndërtojë dhe të operojë me rrjet distribuimi në rajone ose qytete të caktuara t’i mundësohet sipas ligjit.

Ndërtimi i degës Shkup-Gostivar është i rëndësishëm edhe për linjën e Interkoneksionit me Greqinë për të cilin tashmë keni aplikuar për një grant së bashku me Greqinë, gjegjësisht me operatorin grek. Cilat do të jenë përfitimet për shtetin dhe çfarë rëndësie ka saktësisht ky përçues për ne?

– Ndërtimi i linjës së interkoneksionit me Greqinë është prioriteti ynë kryesor, për shkak të diversifikimit dhe aftësisë konkurruese të burimeve tona për furnizim me gaz natyror, e kjo është kompetenca jonë. Të sqarojmë se me Ligjin e ri për energjetikë dhe detyrimin për ndarjen e aktiviteteve, operimi me rrjetet e distribuimit nuk është nën kompetencat tona. Por, për ne është shumë e rëndësishme që të mos vijmë në situatë që pasi të investojmë fonde të mëdha, mos të ketë dikush që të përdorë shërbimet tona dhe infrastrukturën tonë për transmetimin e gazit natyror. Jam optimist se deri në fund të vitit të ardhshëm do të përfundojmë me projektimin linjës së Interkoneksionit, studimet e nevojshme etj. dhe të marrim leje ndërtimi. Sigurisht do të përmbyllet konstruksioni financiar që të mund të publikojmë thirrje për të angazhuar operatorët e ndërtimit dhe është realiste të pritet se deri në fund të vitit 2022 ky ndërlidhës do të jetë operacional.

Për trasenë Shkup-Gostivar paralajmëruat se duhet të përfundojë deri në fund të vitit të ardhshëm ose fillimit të vitit 2020, për shkak së është paraqitur nevoja për një numër të madh ndryshimesh gjatë ndërtimit. Për çfarë ndryshime mendoni konkretisht?

– Është e saktë që në këtë pjesë ka pasur nevojë për disa ndryshime të domosdoshme në trase, me natyrë të ndryshme. Një prej tyre është ndryshimi në Vodno, për shkak të kërkesës së shoqatave civile. Të tjerat janë për shkak se nga përcaktimi i trasesë, e deri në fillim të realizimit në terren, disa komuna kanë miratuar plane urbanistike të detajuara, kanë dhënë leje ndërtimi, legalizime, koncesione në vetë trasenë etj.

Kur priten rezultatet konkrete nga krejt këto aktivitete me gazifikimin që po i paralajmëroni se do të përfundojnë vitin e ardhshëm dhe kah mesi i viti 2020? Gjegjësisht kur do të bëhet gazifikimi i familjeve dhe kompanive?

– Sistemi ynë i transmetimit do të jetë së shpejtë operacional. SMRG Shtip (stacioni matës-rregullues) do të jetë në gjendje të shërbejë gjatë tremujorit të dytë të vitit 2019. SMRG Negotinë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2019. Planifikojmë që, gjatë kësaj periudhe, të kyçim ZZhTI Shtip. Të gjitha stacionet tjera në rajonin e Pellagonisë dhe Pollogut do të jenë operacionale deri në mes të 2020. Është shumë e rëndësishme që të kemi distributorë seriozë për distribuim, që ata të mund të fillojnë me projektimet dhe sigurojnë lejet për ndërtim, që të mund të fillojnë me punimet. Jam optimist se gjatë vitit 2020 aktivitetet e ndërtimit do të fillojnë në shumicën e qyteteve dhe komunave dhe se deri në vitin 2025 ata do të mbulohen plotësisht. Përveç përfitimeve të mëdha ekonomike, problemi i ndotjes së ajrit do të zgjidhet plotësisht.

Çmimi për kyçjen e gazit në Komunën e Kumanovës arriti në 800 euro, por me subvencione nga komuna, çmimi për kyçje në shtëpi u reduktua në 650 euro. Kjo, për një familje mesatare, është e shtrenjtë; si do të gjenden mënyrat, që gazi të jetë lehtë i qasshëm për qytetarët?

– Tarifën për transmetim te operatorët e distribuimit e përcakton Komisioni rregullator, ndërsa tarifa e kyçjes do të varet nga kushtet e tregut. Vetëm për krahasim, çmimi mesatar për kyçje në vendet e rajonit është dhjetë herë më e lirë se në Strumicë dhe Kumanovë. Sipas metodologjisë për llogaritjen e këtij çmimi, rritja e sasisë ose e numrit të përdoruesve do të ndikojë në uljen drastike të çmimeve.

Në Buxhet janë paraparë fonde për shpronësim, a do të thotë kjo se të gjitha problemet e këtij lloji janë tejkaluar dhe cilat do të ishin pengesat kryesore për të cilat do të tejkaloheshin afatet?

– Një gabim i madh u bë në vitin 2017, kur nuk ishin ndarë fonde për shpronësim. Prandaj në vitin 2018 kemi pasur dhe në vitin 2019 kemi siguruar fonde për këtë qëllim. Kam gjetur situatë me asnjë lëndë të zgjidhur të shpronësimit, ndërsa kemi disa mijëra të tilla. Jam i kënaqur me rrjedhën e zgjidhjes gjatë gjashtë-shtatë muajt e kaluar. Në Lot 2 (Negotinë – Manastir), shpronësimi është zgjidhur mbi 80 për qind dhe pres që së shpejti të zgjidhet plotësisht. Në Lot 5 (Shkup-Gostivar) për shkak të numrit të madh të rasteve, për shkak të ndryshimeve dhe ngecjeve në disa institucione të tjera, kemi ritëm më të ngadaltë të zgjidhjes. Shumica e pengesave tashmë janë tejkaluar dhe pres që në këtë lot së shpejti do të përfundojmë gjithë shpronësimin.

Sipas aktivistëve për mbrojtjen e Vodnos, atje punohet një vendim fuqiplotë për ndryshimet gjatë ndërtimit, për shkak se traseja e projektuar rishtazi ende miratohet. Në cilën trase po punoni, nëpër të renë ose të vjetrën?

– Këtë e përsërisim disa herë. Ka leje ndërtimi për të gjithë projektin. Ndryshimi i Vodno është nga kilometri 20 deri në 24. Ne nuk punojmë në atë pjesë derisa të kemi miratim të ri për atë ndryshim dhe kjo do të jetë së shpejti. Në Vodno e kemi hapur trasenë nga kilometri 24 deri në kilometrin 27 dhe plani ishte të hapnim nga kilometri 17 deri në kilometrin 19, por për të arritur në makinat e ndërtimit deri në kilometrin 19 në terren, u paraqit nevoja për rë bërë rrafshime në disa vende. Makinat kanë lëvizur përgjatë trasesë së re ku po presim miratimin, e jo nëpër të vjetrën, ku kemi miratimin për një projektin themelor. E kemi planifikuar këtë për arsye shumë praktike, që të mos bëjmë rrafshim në trasenë e vjetër që nuk do të përdoret. Këtu ishte keqkuptimi me aktivistët, që për mua është irracionale, por në fund vendosëm të presim miratimin për ndryshimin. Vetëm të përsëris, Vodno jo që nuk do të humbasë nga ky projekt, por do të ketë përfitime të mëdha.

Kush kontrollon se si punohet, a ka mbikëqyrje të punës në Vodno?

– Sigurisht që ka. Mbikëqyrja është e pranishme përgjatë tërë rrjedhës së ndërtimeve dhe çdo vend ndërtimit.