Rikonstruohet konvikti “Goce Dellçev”, Ademi: Investimi kap shifrën 2.7 milion euro

Në konviktin e studentëve “Goce Dellçev” janë lëshuar në përdorim dy blloqet e rikonstruara V dhe G. Bashkë me këto blloqe, konvikti i studentëve është rikonstruar tërësisht edhe në aspektin energjetik. Gjithsejtë janë investuar 2.7 milionë euro të cilat studentëve do t’ju ofrojnë standarde bashkëkohore dhe hapësira të posaçme për sport dhe rekreim. Nga ministria e Arsimit kujtuan se deri në vitin 2024 do të rikonstruohen edhe shtatë konvikte tjera studentore në Manastir, Ohër, Shtip, Prilep dhe Shkup.

“Sot po lëshojmë në përdorim bllokun V dhe G. Bëhet fjalë për një investim prej 2.7 milionë euro. 2.3 milionë euro janë investuar në aspekt infrastrukturor, ndërsa rreth 400 mijë euro për të siguruar mobilet e nevojshme. Me këtë po e rrumbullakojmë procesin e rinovimit, modernizimit dhe sigurimit të kushteve më të mira në konviktin më të madh studentor në vend “Goce Dellçev”. Së shpejti do të kemi konkurs me çka do t’ju mundësohet nxënësve, respektiviht studentëve që të plotësojnë kapacitetet që ju ofron ky konvikt”, tha Arbër Ademi, ministër I Arsimit dhe Shkencës.

“Dy blloqet janë rikonstruar plotësisht, duke përfshirë mobilet, sanitarin dhe hapësirat ndihmëse në katin e gjashtë. Janë hapësira të përbashkëta të pajisura me ventilim, ku studentët do të kenë mundësi ti shfrytëzojnë për sport dhe rekreim si dhe aktivitete tjera që përbëjnë jetën e tyre të përditshme në konviktet studentore”, u shpreh Dario Nikollovski, drejtor i Qendrës shtetërore të studentëve “Goce Dellçev”.

.