Rita Ora dhe Dua Lipa e shmangën njëra-tjetrën dhe në Met Gala

Ato ishin dy prej yjeve më shkëlqyes në mbrëmjen  e “Met Gala”, që u mbajt pak ditë më parë. Po flasim për këngëtaret me origjinë shqiptare, Rita Ora dhe Dua Lipa, të cilat u paraqitën kështu në ceremoninë e përvitshmë në New York:

Por përtej shkëlqimit në tapetin e kuq dhe veshjeve rrëzëllitëse, duket se fshihet një marrëdhënie e ftohtë mes dy artisteve. Në fakt, zëra për një “zënkë” mes tyre ka pasur gjithmonë dhe në ceremonitë që kanë qenë të pranishem të dyja, gjithmonë janë përpjekur ta shmangin njëra-tjetrën. Rasti më i fundit ishte në festën pas Grammy’s ku Rita u pa duke festuar me Bebe Rexhën dhe Dua ishte “lënë jashtë”.

Por nëse ne pak a shumë e dinim çfarë po ndodhte mes yjeve shqiptarë, sepse kjo është ajo që bëjmë më mirë, tabloidet angleze duket se e kanë zbuluar vetëm së fundmi që marrëdhënia mes tyre nuk është e mirë dhe shprehen të çuditur për këtë. Dy mundësi janë, ose këta habiten lehtë, ose ne nuk na bën më gjë përshtypje.

Gjithsesi,  ‘The Sun” shkruan se këngëtaret kanë shkuar të dyja në të njejtën shkollë në Britani, pasi emigruan nga Kosova. Madje Dua e shihte Ritën si një idhull, në fillimiet e karrierës. Të paktën kështu thotë një burim për prestigjozen britanike: “Është shumë keq, sepse ato kanë qenë shumë të afërta dhe Dua fliste gjithë kohën për faktin që e adhuronte Ritën. Madje ajo thoshte që kur të rritej dontë të bëhej si Rita. Por tani gjërat kanë ndryshuar në mënyrë drastike dhe ajo po përpiqet që ta distancojë veten. Madje nuk po përpiqet që këtë gjë ta mbajë sekret. Edhe Rita po përpiqet që ta shmangë përballjen mes të dyjave, nuk do që të dalin përballë njëra-tjetrës. Ajo i urren këto drama dhe donte që të shkonte në Met Gala, pa ja ndaluar askush. “ Dhe meqë ra fjala, në mbrëmjen e bamirësisë, Dua shkoi me të dashurin e saj Isaac Crew, ndërkohë që Rita shkoi bashkë me Marc Jacobs dhe Kate Moss.

Kujtojmë që në 2016, në momentin që autorja e hitit “New Rules” sapo kishte hyrë në industrinë e muzikës, jo vetëm shqiptarët por edhe të huaj e krahasuan atë me Ritën dhe thanë që ajo ishte shembulli që duhet të ndiqte. Por mesa duket, 23 vjeçarja nuk do më që ti kujtohet se cila është e para që u bë e famshme në Britani dhe në të gjithë botën. Madje në 2017-ën, e pyetur nëse ishte shoqe me Orë-n ajo tha: “Prindërit tanë e njohin njëri-tjetrin dhe unë njoh motrën e saj, por vetëm kaq.”

Nuk e di pse por e gjitha kjo më krijon idenë e një “sherri” gjimnazi mes dy vajazve që kanë qenë shoqe gjithë jetën. Ndoshta më e mira do të ishte nëse merr tekstin e këngës që ka shkruajtur vetë “Kiss And Make Up”, pra “Puthuni dhe Pajtohuni”, dhe e zbaton në jetën reale.