Romina Aliaj: Shumë pak herë bëj kompromise në jetë!

Nëse kujtojmë këngën “Tundi hajmalitë” e lidhim me imazhin e këngëtares Romina Aliaj, e cila “tundi” muzikën e jugut kur publikoi këtë këngë. NË atë kohë siç tregon edhe vetë ishte vetëm 17 vjeçe dhe ende nuk e dinte se ajo këngë i kishte sjellë suksesin. “Gjëmon kënga” është prurja e saj më e re pas një shkëputje nga ekranet muzikore e cila si duket ka qenë një gjë e mirëmenduar nga këngëtarja për ta sjellë në periudhë festash dhe për të marrë vëmendjen e duhur.

Në treg njihesh me hitin “Tundi hajmalitë” Si e kujton atë kohë dhe përse u shkëpute kaq gjatë nga karriera në Shqipëri?

Kohën kur kam nxjerrë këngën “Tundi hajmalitë” kam qenë 17 vjeçe, shumë e vogël për t’a kuptuar se çfarë do të thotë sukses. Mbaj mend që më ndalonin në rrugë dhe më kërkonin autografe. Ishte ndjesi shumë e bukur. Por mosha shumë e vogël që kisha më penalizoi sepse menaxhimi duhej shumë i fortë për të ecur dhe unë në atë kohë mendova se është më mirë të punoja në Europë me tepër Gjermani Zvicër Norvegji Austri e shumë vende të tjera. Tashmë rikthehem me një eksperiencë dhe pjekuri shumë më të madhe në skenë!

Çfarë të bëri më tepër përshtypje gjatë kësaj kohe festive sa i përket botës së muzikës?

Gjatë festave m’u dha rasti të jem për vizitë në Amerikë dhe më bëri përshtypje malli që kanë shqiptarët për atdheun, për traditat që i ruajnë me fanatizëm dhe sidomos për muzikën popullore shqiptare nga të gjitha trevat. Kjo gjë më jep një ndjesi dhe emocion të papërshkrueshëm!

Iu përgjigje mesazheve “një për të gjithë”?

Më erdhën shumë mesazhe copy paste (qesh), ndërsa urimet e mia i përcolla ekskluzivisht me këngën time të re “Gjëmon kënga”!

Pra, mendove ti bësh edhe publikut një dhuratë për festa dhe e quajte, “Gjëmon kënga”, si lindi kjo këngë dhe klip? U prit mirë nga publiku?

Në fakt teksti i “Gjëmon kënga” kishte 10 vjet që babai im e kishte shkruar dhe ishte në sirtar. Kështu që teksti ishte gati, melodinë e këngës e bëra vetë. Për këngën e dytë të kolazhit “Dy thëllëza” vendosa t’a risjell përsëri sepse është këngë e vjetër popullore. Orkestrimi është i kompozitorit të mirënjohur dhe shumë të talentuar Edi Balili, të cilit i jam shumë mirënjohëse për punën që ka bërë, ndërsa videoklipi është bashkëpunim me Max Production, Bledi është fantastik për idetë brilante që ka dhe e falënderoj për realizimin aq të bukur të kolazhit tim. Falënderoj gjithashtu “Sageri makeup” një vajze jashtëzakonisht të talentuar dhe Beautycenter Linda për fustanet aq të bukura! Mendoj që rikthimi im pas shumë vitesh në treg është mirepritur dhe kanë filluar ftesat për koncerte !

Po për Shën Valentin ke menduar të bësh ndonjë dhuratë dashurie përsëri ndaj publikut që të mbështet gjithmonë?

Po, patjetër për Shën Valentin kam gati projektin e dytë; vendosa përsëri për një kolazh jugu.

Si e mbylle 2018 dhe çfarë pret nga 2019?

2018 e mbylla fatmirësisht shumë mire plot me projekte te reja dhe 2019 rikthehem në treg më fuqishëm se kurrë!

Cili është personazhi me të cilin ruan një kod të mirë komunikimi?

Mami im, faleminderit Zot që e kam!

Thua më shpesh “Po” apo “Jo”?

Varet nga situata por nëse them “po” ashtu ngelet po nëse them “jo” nuk ka kthim pas. Shumë pak here bëj kompromise në jetë! Labe hesapi.

Je fanatike për gjërat e tua?

Jam shumë fanatike e gjërave të mia dhe mendimeve të mia.

Cila është gënjeshtra më e bukur që të kanë thënë?

Ua po kush qenka ai që gënjen bukur se akoma s’kam zbuluar ndonjë unë?!

Cila është e vërteta më e pastër që ekziston për ty?

Që ka një Zot lart që na mbron, na udhëzon dhe na bekon. E vërteta e pastër është : Bëj mirë se nëse s’ta vlerësojnë njerëzit e vlerëson Ai lart !

A ka një dashuri në jetën e Rominës?

Po, po familja, fisi!(Qesh)

Sa e bekuar ndihesh ti që je e rrethuar me dashuri?

Kur ke dashuri të sinqertë përreth, patjetër që ndihesh e bekuar!

A është ai dashuria jote ideale?

Më fal po kush është ai?

Sekretet:

– Ta nisim nga bukuria, cili është sekreti i bukurisë tënde? Gjenetika

– Sekreti i lumturisë? Dashuria

-Sekreti i suksesit? Përkushtimi për punën

-Cili është sekreti i muzikës që bën? Burimi nga thellësia e zemrës

-Sekreti për të bërë karrierë? Vullneti dhe durimi

-Sekreti yt në dashuri? Sinqeriteti

– Sekreti i të qenit gjithnjë e sinqertë? E përdor aty ku duhet, jo gjithmonë!

– Sekreti për të pasur shumë miq? S’duhen shumë miq, më mirë pak e saktë.

-Sekreti për të mposhtur emocionet kur këndon? Pi një gllënjkë raki.

-Sekreti për të pasur look shokues? Bashkëpunëtorët e duhur,

-Po sekreti për të fituar sa më tepër pikë gjatë një interviste, cili është? Të jesh vetvetja.