Sela pjesëmarrës në tryezën e organizuar nga UEJL me temë “Ngritja e vetëdijes publike për zbatimin e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve”

Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Ylber Sela mori pjesë në tryezën e organizuar në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL) nga Fakulteti i Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit në UEJL, në bashkëpunim me Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë së RMV-së dhe Agjencisë për Zbatimit e Gjuhës, me temë “Ngritja e vetëdijes publike për zbatimin e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve”.

Me këtë rast, Sela tha se përmbushja e të drejtave gjuhësore është jetike për të siguruar pjesëmarrje të sigurtë të të gjitha komuniteteve në shoqëri, ndonëse operimi në dy gjuhë zyrtare shfaq edhe vështirësi. “Meqenëse të drejtat gjuhësore janë pjesë integrale e së drejtës themelore të njeriut për lirinë e shprehjes, përmbushja e tyre është jetike, për të siguruar që pjesëtarët e të gjitha komuniteteve të mund të marrin pjesë në mënyrë efektive në shoqëri dhe të kenë qasje të barabartë në drejtësi. Operimi në dy gjuhë zyrtare është punë komplekse që kërkon burime të konsiderueshme buxhetore, ndryshime strukturore në institucione dhe personel të specializuar e të trajnuar”, deklaroi Ylber Sela.

Në diskutimin e tij, drejtori Sela përmendi disa nga aktivitetet e ndërmarra për mëkëmbjen e Agjencisë. “Disa nga aktivitetet të cilat janë ndërmarrë për mëkëmbjen e Agjencisë janë të aspektit teknik: Regjistrimi në Regjistër Qëndror Përpilimi i Rregullores mbi organizimin e brendshëm të Agjencisë Krijimi i Sektorëve dhe Njësive në Agjenci Përpilimi i Rregullores mbi sistematizimin e vendeve të punës Sigurimi i hapësirave të punës Lidhja e kontratave të domosdoshme për funskionimin e Agjencisë Krijimi i vulave të Agjencisë Miratimi i planit të punësimit Krijimi i planit financiar Krijimi i Programit të punës”, shtoi Sela.

Në përmbyllje, drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Ylber Sela tha se janë duke u kërkuar mënyra për unifikimin e terminologjisë dhe për trajnimin e përkthyesve. “Institucionet shtetërore deri në ditët e sotme nuk kanë pasur përkthyes profesionistë që të bëjnë përkthime të akteve juridike, por edhe të dokumenteve të tjera. Në vend të kësaj, përkthimi është bërë nga persona të cilët munden të komunikojnë në të dyja gjuhët dhe si rezultat i kësaj paraqitet një laramani e termeve të cilat përdoren në mënyrë jo adekuate. Për këtë arsye, Agjencia me shumë seriozitet është duke kërkuar mënyra të ndryshme të unifikimit të terminologjis dhe, trajnimit të përkthyesve”, u shpreh Ylber Sela, drejtor i Agjencisë.