Shënohet “Flaka e Janarit”, kabineti qeveritar i BDI-së i përjashtuar

Si çdo vit, sot në Shkup u shënua dita përkujtimore e çështjes kombëtare “Flaka e Janarit” që ka simbolikën e flakadanit që nuk shuhet kurrë.

Nën organizimin e SHVL-UÇK, shoqatës “Lëvizja” dhe “Lulet e malësisë”, flakadanin e përkujtimit të Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë, u ndez edhe në Sheshin Skenderbeu në Shkup.

Të pranishëm ishin personalitetet e çështjes kombëtare nga të gjitha trevat shqiptare, Fazli Veliu, Luan Veliu, Ali Ahmeti, Musa Xhaferi, Izet Mexhiti dhe të tjerë ku fjalë rasti iu dha kryetarit të BDI-së, z.Ali Ahmeti.

Ajo që binte në sy ishte mungesa e përfaqësuesve të BDI-së në ekzekutiv, e që sipas zërave, thuhet se është i papranueshëm nga bazat partiake dhe ish strukturat e UÇK-së për arsye të përkatësisë së tyre të dyshimtë, mungesës në aktivitetet e çështjes kombëtare dhe mos respektimin të statutit partiak ku emërimi i të njëjtëve është bërë pa pëlqimin e kryesisë qëndrore, pa proces verbale madje edhe pa pëlqimin dhe nominimin nga dega ku ata vijnë.