SHQIPTARËT E AMERIKËS NËN UDHËHEQJEN E VATRËS FESTUAN 109 VJETORIN E PAVARËSISË DHE FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR

SOKOL PAJA

Patriotët shqiptarë nga të gjitha shtetet e Amerikës, nën udhëheqjen e Vatrës u mblodhën në New York dhe festuan 109 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Festën e Flamurit Kombëtar. Në një ceremoni madhështore me mbi 500 pjesëmarrës: patriotë shqiptarë, autoritete fetare, veprimtarë, kontribues të çështjes kombëtare, përfaqësues të të gjitha shoqatave shqiptare, vatranë, media, familje patriotike shqiptare në diasporën e Amerikës, përfaqësues zyrtar shtetëror nga Prishtina e Tirana, profesorë, miq e të ftuar, festuan për orë të tëra nën tingujt e muzikës së mrekullueshme shqiptare me gëzim, krenari e vëllazëri. 28 Nëntori, festa e Flamurit Kombëtar si themeli dhe identiteti ynë kombëtar shqiptar bashkoi si kurrë më parë shqiptarët nën një flamur për të festuar dhe uruar njëri-tjetrin në ditën e lirisë së shtetit e kombit shqiptar. Pavarësia si datë e veçantë në kalendarin e shtetit dhe të kombit shqiptar ku Vatra ka meritë historike pasi e mbrojti pavarësinë e Shqipërisë, , ku Faik Konica si kryetar i Vatrës në Nëntorin e 1912 orientoi edhe Kuvendin e Vlorës dhe shqiptarëve në përgjithësi orientojeni Shqipërinë nga perendimi. Vatra i priu mbrojtjes së shtetit shqiptar, organizoi diplomacinë, pagoi ambasadorë dhe luftoi fort për të mbrojtur territoret e Shqipërisë nga copëtimi.

NGA HIMNI KOMBËTAR TE BEKIMI I PRIFTIT DHE URIMI I KRYETARIT TË VATRËS

Aranit Hoxha, nga Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve në Tiranë, bëri hapjen e ceremonisë festive duke kënduar himnin kombëtar që çoi peshë zemrat kuq e zi të pranishme në sallë. Këngëtarët Gëzim Nika(Mjeshtër i Madh), Aranit Hoxha, Barbana Dini, Fahrije Zogaj, Argjend Lloga dhe ekipi i tyre artistik, krijuan një atmosferë fantastike për të gjithë të pranishmit duke lënë mbresa të jashtëzakonshme. Famullitari i Kishës Zoja e Shkodrës në New York, Dom Pjetër Popaj në bekimin e darkës së Flamurit dhe Pavarësisë u shpreh: “Kjo ditë u takon atyre që ia falen atdheut lirinë, bashkimin e pavarsinë. Ata ranë deshmorë por nuk vdesin kurrë, janë gjithmonë në mendjet e kujtimet tona në cdo festim e përvjetor. Toka e jonë është e shenjte sepse është e bekuar me gjakun e Martirve. Bëj o Zot që nje ditë të kemi nje popull të bashkuar në një shtet të vetëm. O Zot bekoje popullin tonë, mbrojë nga çdo rrezik, kudo që gjëndet në botë. Ky popull që nuk të harroi kurrë, në ditë të mira e të vështira, në gëzime e në pikllime. Bëj qe të jenë të bashkuar, të duan njari tjetrin me dashuri vëllazërore” tha në fjalën e tij Dom Pjetër Popaj. Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha në fjalën e rastit për të uruar festën e Flamurit uroi shqiptarët për unifikim, bashkim, paqe, zhvillim dhe shpresë në Atdheun tonë të dashur e të shtrenjtë. Kryetari Berisha deklaroi: “Kjo ditë e shenjtë për të gjithë ne, është një ditë krenarie, lavdie dhe reflektimi të thellë. Sot më shumë se kurrë përkujtojmë aktin e lartë patriotik të shtetit shqiptar, mëvetësinë që plaku i urtë i Vlorës, Ismail Qemali, së bashku me 40 firmëtarët e Pavarësisë e bënë shtetin shqiptar të lirë, të pavarur dhe sovran. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë është moment kulminant i daljes nga robëria osmane pesë shekullore. Sot u shpreh mirënjohje të thellë patriotëve të shquar, luftëtarëve të lirisë, dëshmorëve të Atdheut dhe çdo shqiptari që nuk iu dhimbs asgjë në mënyrë që Atdheu të gëzojë lirinë dhe pavarësinë e tij” uroi kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha. Si përfaqësues i shtetit të Kosovës, Ministri i Shëndetësisë Prof. Dr. Rifat Latifi uroi shqiptarët me rastin e festës së Flamurit ku ndër të tjera tha: “28 Nëntori është festë e shumëfishtë për kombin shqiptar. Është dita e Flamurit, është dita e Pavarësisë, është edhe ditëlindja e komandantit legjendar – kryekomandantit Adem Jashari, është edhe dita e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot Shqipëria dhe Kosova, si dy shtete sovrane, zhvillojnë marrëdhënie shumë të mira me dobi të përbashkët për të gjithë qytetarët tanë. Kosova dhe Shqipëria janë shtëpitë që kombi shqiptar i ka ngritur vetes për sigurinë dhe mirëqenien e tij dhe është detyra jonë për të bërë të mundur që këto dy shtëpi të jenë të forta dhe mbështetje edhe për ata shqiptarë që janë jashtë tyre, kudo në Ballkan dhe diasporë. Kujtesa e aktit të 28 Nëntorit vazhdimisht dhe gjatë gjithë vitit na fton që të forcojmë lidhjet kombëtare, zhvillimore në ekonomi e kulturë e në të gjitha fushat, dhe, kam besimin se ne do të dimë t’i përgjigjemi siç duhet, kurdoherë” tha ndër të tjera Profesor Latifi. Në fjalën e tij përshëndetëse për të gjithë shqiptarët z.Mark Gjonaj Këshilltar në Bashkinë e New Yorkut pasi foli rreth rëndësisë së Pavarësisë së Kombit shqiptar dhe rolin e mërgatës shqiptare në Amerikë, ai vlerësoi Vatrën dhe kryetarin Elmi Berisha për merita të veçanta dhe për punë të shkëlqyer në komunitet dhe në avancimin e çështjes kombëtare. Rob Astorino, kandidat për Guvernator i New York dhe Asambleistja Natalia Fernandez uruan shqiptarët për 28 Nëntorin. Për të gjithë pjesëmarrësit dërgoi një mesazh urimi edhe Ambasadorja e Shqipërisë në Uashington zonja Floreta Luli Faber.

FESTA E FLAMURIT DHE PAVARËSIA BASHKOI VATRËN

Si kurrë më parë, me mbi 500 të ftuar Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra udhëhoqi festimet dhe organizimet solemne të festimit të 109 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Flamurit Kombëtar. Në këtë festë thelbësore të kombit tonë, Federata Vatra që ka pjesën e saj të jashtëzakonshme në historinë e shtetit shqiptar, erdhi në këtë festë më e bashkuar se kurrë. Pas një keqkuptimi juridik, Vatra u bashkua, Vatra u unifikua, Vatra u bë edhe më e shëndoshë, më e qëndrueshme, më e fortë, më përfaqësuese dhe më dinjitoze. Vatra i shpreh mirënjohje për punën e shkëlqyer z.Ahmet Xhafo, z.Mitat Gashi, z.Armin Zotaj, Doktor Elton Mara, Ukë Gjonbalaj, Gjon Buçaj, që bashkë me grupin e tyre të bashkëpunëtorëve me këtë bashkim forcojnë Vatrën, shtojnë vlerat kombëtare si personalitete të spikatura në diasporën shqiptare të Amerikës duke e bërë familjen patriotike Vatrane një shembull dhe model për gjeneratat që vijnë. Faleminderit nga zemra dhe mirënjohje për punën dhe kontributin e çmuar në Vatër.

VATRA NDEROI ME “MEDALJA E ARTË E LIRISË” PERSONALITETE TË SHQUARA NË DIASPORËN SHQIPTARE TË AMERIKËS

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra me rastin e Festës së Flamurit Kombëtar dhe të 109 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë nderoi me: “Medalja e Artë e Lirisë” personalitete të shquara të diasporës shqiptare në Amerikë për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në dobi të çështjes kombëtare: Kolonel Dritan Demiraj, Gjeneral Gani Shehu, z.Asllan Bushati, z.Naim Dedushaj, z.Nazar Mehmeti. Kontributi i këtyre personaliteteve në fushën e sigurisë kombëtare dhe në luftën ndaj terrorizmit global, çlirimit të Kosovës e zhvillimit të Ekonomisë, e sipërmarrjes dhe kontributit për kauzën kombëtare, bëjnë krenar çdo shqiptar për arritjet e tyre dhe vlerat e larta kombëtare që përfaqësojnë.

AUTORITETET DHE PERSONALITETET E LARTA QË MORËN PJESË NË FESTË

Në darkën festive të organizuar nga Vatra me rastin e Pavarësisë dhe Flamurit Kombëtar, nderuan me pjesëmarrjen e tyre: Zonja Albana Dautllari -Zv Ambasadore e Misionit Shqiptar në OKB, Frymëzim Isufaj- Ambasador, Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në New York, Najada Sojli -Konsulle e Shqipërisë në New York, Prof.Dr. Rifat Latifi- Ministër i Shëndetësisë së Kosovës, Gjeneral Gani Shehu i Batalionit Atlantiku, Almona Bajramaj – Diplomate pranë Misionit shqiptar në OKB, Lulëzim Krasniqi- Diplomat, Albena Reshitaj- Deputete e Kuvendit Kosovës, Mark Gjonaj Këshilltar i Bashkisë New York, z.Nazar Mehmeti- Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Botë, Marko Kepi – Rrënjët Shqiptare, Rob Astorino- Kandidat për Guvernator i New York, Asambleistja Natalia Fernandez, Albesjana Iberhysaj – Diplomate, Prof. Naser Rugova, Frank Shkreli, Dom Pjetër Popaj – Famullitar Zoja e Shkodrës, Imam Edin Gjoni- Qendra Shqiptare Islame Queens, Imzot Nikodhim i Kishës Ortodokse të Shën Kollit në Nju Jork dhe Igumeni i Kishes Ortodokse Shqiptare, z.Naim Dedushaj – Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare, e shumë personalitete të nderuar shqiptare në Diasporën e Amerikës.

VATRA BASHKOI TË GJITHA SHOQATAT SHQIPTARE

Pjesë e mbrëmjes festive të 109 vjetorit të Pavarësisë dhe Flamurit Kombëtar ishin të gjitha shoqatat dhe organizatat shqiptare në New York dhe më gjërë: Batalioni Atlantiku, shoqata Malësia e Madhe, Shoqata Kraja, Shoqata Rugova, Shoqata Rrënjët Shqiptare, Shoqata Duart e Hapura, Shoqata Skenderbej, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptarë, Shoqata e Policëve Shqiptarë e shumë organizata e individë, personalitete të spikatura e veprimtarë të shquar në diasporën shqiptare të Amerikës. Të gjithë të pranishmit uruan, festuan, gëzuan dhe përgëzuan njëri-tjetrin deri pas mesnate nën tigujt magjik të muzikës shqiptare.
Gëzuar Pavarësinë dhe Festën e Flamurit Kombëtar. Zoti e bekoftë Shqipërinë, Zoti i bekoftë Shqiptarët, Zoti i bekoftë miqtë dhe aleatët e përjetshëm të popullit, shtetit e Kombit Shqiptar.