Shvercerat: Kot duan të na njollosin, askush nuk e thotë troç kush dhe çfarë dëmi shkaktoi në Teatër

Një karrige e përmbysur dhe një trah i shkëputur. Kështu sot dukej salla e Teatrit Popullor. Këto për kryeministrin Zaev janë dëme dhe akte vandale. Drejtoresha e teatrit, Simona Spirovska, të cilën e kërkuam dhjetë herë, nuk na u përgjigj se për akuzat që i bëri në rrjete sociale.

Ajo në Facebook nuk e përkufizon qartë se si u dëmtua ajo karrige që shihej përmbys në sallë, apo për ccka tjetër e ka fjalën! Mirëpo, fajin ia “hodhi” partive politike dhe grupit të tifozerisë “Shvercerat”!

“Të sillet ai ligji anglez! Kështu që ai tifoz që do të mendojë të bëjë marrëzi, të shkojë në burg në mënyrë që ta mendojë çfarë ka bërë.

Eh nënën. Kush erdhi të bëjë miting në teatër! Të ndalohet! Asnjë miting partiak, as shvercera, asgjë! Shumë keq, shumë”, shkruan Simona Spirovska.

“Shvercerat” të premten festuan e 30 vjetorin e themelimit, në këtë sallë të teatrit. Kjo shkaktoi reagime të shumta dhe akuza ndaj tyre se gjoja janë “çoroditur në teatër”.

“Shvercerat” tregojnë dëshmi, që kur kanë dalë nga salla e teatrit atë mbrëmje, nuk kanë lënë ndonjë rrëmujë mbrapa. Akuzat i shohin se tendencë për t’i njollosë.

“Ne jemi tifozë dhe tifozëria është jeta jonë. Nuk ka mënyrë tjetër të tifozërisë veç se këndimi i këngëve dhe brohoritjes, dhe ne këtë e bëmë atë natë dhe asgjë tjetër, pa asnjë “ vandalizëm “, thyerje, ndonjë fjalë ofenduese e jo më fjalë të urrejtjes. I kënduam këngët tona të tifozërisë , skanduam emrat e personave të cilat morrën mirënjohje , madje treguam një nivel të lartë të kulturës duke mos veçuar askënd nga ky skandim, ashtu siç brohoritëm emrat e Nexhmedin Memedit , Nexhat Shabanit Argjend Beqirit, Arben Nuhiut ashtu brohoritem edhe emrat e Gjore Jovanovskit , Gogo Jovcevit dhe të gjithëve që morrën mirënjohje atë natë”, thonë nga tifo grupi “Shvercerat”.

Nga Ministria e Kulturës thonë se kanë qenë të njoftuar për dy ngjarje që do të mbaheshin të premten, por jo për praninë e tifozëve. Por as nga ky dikaster nuk thonë se kush chfarë dëme shkaktoi në teatër.

“Konsiderojmë se në institucionet duhet të sillemi siç kërkohet nga kodet e sjelljes në një institucion kulturor. Në TKM, të premten ishte njoftuar mbajtja e dy evenimenteve, shënimi solemn i Ditës së Alfabetit dhe shfaqja e filmit dokumentar, por Drejtoria e TKM-së aspak nuk ishte njoftuar për praninë e grupit të tifozëve”, thonë nga Ministria e Kulturës.

Nga Teatri popullor i Maqedonisë kërkojnë që të sanohen dëmet e shkaktuara në objektin e tyre. Prej atje thonë se poashtu nuk kanë qenë të informuar për pjesmarrjen e grupit të tifozëve “Shvercerat” por se vetëm do të transmetohej një film dokumentar. E nga policia thonë se sot në mëngjes në orën 9 e 30 ka pasur denoncim për dëme në sallën e teatrit. Dëme kamera jonë regjistrojë edhe jashtë sallës! Në katin e dytë të teatrit, ishte hapur një vrimë, që në dukje, mund të jetë shkaktuar nga rrjedhja e ujit. Dëme tjera pamë edhe në murin afër, por edhe ajo dukej se ishte ngase kishte rrjedh uji nga kulmi pas ndonjë shiu! As për këto dëme, nuk na foli drejtoria e Teatrit.