Si është gjendja shëndetësore e Valon Belës? Ja si erdhi deri te konfliki…

Valon Bela, drejtor Ekonomik i Klinikës së Gjinekologjisë në Shkup, është në gjendje shëndetësore stabile, pas plagosjes së djeshme me dy plumba në një përleshje të armatosur në Çair.

Drejtori i Spitalit Kirurgjik të Shkupit, Ivan Spirovski ka dhënë këtë deklaratë për “Portalb”: “Dje është pranuar me urgjencë në Spitalin Kirurgjik, me plagosje nën gjunjë të majtë, është operuar dhe tani është në gjendje stabile, gjegjësisht jashtë rrezikut për jetë.
Nga MPB thonë se rasti është dokumentuar dhe përveç asaj që është kumtuar, nuk japin detaje shtesë.

“Dje rreth orës 17 e 45 është denoncuar se në rrugën “Llazo Terpkovski” është gjuajtur me armë zjarri ndaj V.B. (40) nga Shkupi në këmbën e majtë nën gju. Ndaj tij ka shtënë një person i cili ka qenë bashkë me E.H., E.A. dhe R.N., ndërsa V.B. është transferuar në spitalin e qytetit”, njoftuan nga Policia.

Portalb.mk, ka kontaktuar edhe me Prokurorinë, por të njëjtët thanë se sapo të marrin informata nga prokurori kompetent do të japin detaje për rastin. Zyrtarisht ende nuk dihen motivet për ngjarjen, ndërkaq TV21, mbrëmë njoftoi se përleshja e armatosur ka ndodhur për shkak të një ngatërrese me Valon Belën dhe kryetarin aktual të Komunës së Çairit, Visar Ganiu.

“Jo-zyrtarisht mësohet se Valon Bela i është lajmëruar kryetarit të Çairit, Visar Ganiut me të cilin ka kërkuar që të realizojë takim në Fushë Topanë, te marketi Princ. Drejtori ekonomik Valon Bela ka qenë i revoltuar pasi që i është ndaluar rroga që i është dhënë nga komuna. Kryetari Visar Ganiu ka thirrur persona tjerë, pas së cilës fillimisht është shkaktuar përleshje fizike, ndërkaq më pas është shtënë me armë”, shkruan TV21.

Portalb.mk tentoi të kontaktojë me kryetarin Visar Ganiu, por i njëjti nuk është i kapshëm për redaksinë.