Silvi Dollapi: Publiku është matësi më i mirë i suksesit

Silvi Dollapi është këngëtarja e skenave shqiptare por jo vetëm, ajo tashmë jeton prej vitesh në Zvicër dhe ka shpalosur edhe më tej repertorin e saj, kudo ku ka shqiptarë në Europë, Amerikë e Australi. Në prurjen e fundit “Na festojna” solli një atmosferë vere dhe kënga u përqafua menjëherë nga publiku. Projekte të reja do vijnë prej saj, ndërkohë që ajo sapo ka publikuar edhe setin më të ri të fotove të realizuar me përkujdesje dhe profesionalitet vjen duke i treguar për Infrared të gazetës Koha.

Na thuaj dy fjalë për prurjet e tua të reja në muzikë?

Si gjithmonë, edhe herën e fundit që solla “Na festojna” kam punuar me shumë dëshirë dhe pasion për të sjellë diçka të bukur për publikun tim. Videoklipi i përshtatet mirë secilit tingull që tashmë e ka bërë për vete këdo e ka dëgjuar dhe parë klipin.

Çfarë është më me rëndësi për ty në sjelljen e një projekti të ri?

Që brenda tij të ketë frymë timen, si në këngë, ashtu edhe në videoklip. Asnjëherë nuk tentoj të ndryshoj në thelb vetëm për hir të tendencave.

Sa aktive je aktualisht me koncertet?

Jam prej vitesh në skenë dhe motiv për mua ka qenë interesimi i publikut për të më parë në mbrëmje muzikore, koncerte e gëzime familjare. Jam e kënaqur që jam kaq e zënë, (qesh).

Ke sjellë edhe setin e ri të fotove, je e lidhur me fotografinë? Është një mënyrë e mirë për të qenë më pranë ndjekësve të tu nëpërmjet fotove të postuara në rrjete sociale?

Më pëlqejnë fotot, ato të realizuarat mirë, ato që punohen me dashuri, ato që kanë diçka për të thënë. Më pëlqen të realizoj foto por jo shpesh, e kam merak këtë pjesën e masës, rrallë e për mall.

Nëse do të flasim për matësin e suksesit të një artisti, cili do të ishte ai? 

Jetojmë në kohën e një morie barometrash, por unë them se publiku është fjala e fundit.

Eventi apo koncerti më i veçantë, që e kujton me nostalgji? Po vendi ku të kanë pritur më mirë, duke qenë se ti këndon kudo në Europë dhe më tej në Amerikë e Australi?

Ka shumë dhe nuk mund të bëj dallime sepse më kanë pritur kudo mirë. Sigurisht, mbrëmjet e Diasporës janë gjithmonë shumë të bukura, sepse aty ka zjarr, nuk mund të lë pas edhe ato të Amerikës, por Europa ka një tjetër dashuri për këngën, sepse këndojnë bashkë me mua, kërcejnë, bëjnë atmosferë.

Sakrificat që ke bërë në emër të profesionit…

Ndonjëherë duhet të dalësh nga vetja, gjë që mua nuk më pëlqen. Por, ky profesion ka raste kur të nxjerr nga vetja jote. Më besoni, është sakrificë.

Cilat janë fjalët e duhura për të të përshkruar?

E papërshkrueshme!

Cila është një pyetje që ia bën shpesh vetes?

Kur do bëhen njerëzit më të mirë?

Çfarë e bën një njeri interesant?  

Karakteri.

Syri yt kritik, çfarë të thotë për veten?

E kam mbyllur me flokë atë sy… Nuk sheh prej kohësh. Nuk jam perfekte, por jam mësuar ta dua dhe ta respektoj veten.

Me apo pa çfarë bota do të ishte një vend më i mirë?

Me më shumë paqe, me më pak urrejtje, dhunë…

Më shumë muzikë, do të thotë më pak çfarë?

Më pak stres..!

Çfarë gjendet me shumicë në shoubiz sot?

Strategji dhe pseudoartistë.

Çelësi për të mbetur sa më gjatë në vëmendje…

Të qenit aktive dhe t’u përshtatesh preferencave të publikut.

Cili është kufiri mes të mundurës dhe të pamundurës?

Paraja.

Cila është arma jote e fortë?

Unë.

Kur do të jenë projektet e tua të reja?

Së shpejti…shumë më shpejt se mund ta mendoni!