Sot mbahen për herë të parë zgjedhjet vendore në Tuz, shqiptarët kërkojnë komunën

Për herë të parë në Tuz votohet sot për të zgjedhur kryetarin e komunës. Kjo është një ditë historike për shqiptarët që banojnë në Malin e Zi. Thirrjet që shqiptarët të votojnë të gjithë në këtë ditë nuk kanë munguar ditët e fundit nga Tirana, por dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

Nikë Gjeloshaj është kandidati i përbashkët i koalicionit të tre partive: Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Demokratik Shqiptar, transmeton Top Channel.

Koalicioni “Forumi shqiptar”, gjatë fushatës garoi me parullën “Malësia na bashkon” . Nëse fiton, Gjeloshaj do të udhëheqë komunën e dytë me shumicë shqiptare në Mal të Zi, pas asaj të Ulqinit.

Politikanët në Tuz thonë se shumë shqiptarë nga diaspora janë kthyer në vendlindje për të votuar, në mënyrë që shqiptarët të jenë zot në komunën e tyre.

Të drejtë vote kanë të paktën 11.800 votues dhe që po shprehin vullnetin e tyre në 30 qendra votimi. Këto janë zgjedhjet e para pas hyrjes në fuqi të ligjit që mundësoi krijimin e Komunës së Tuzit vitin e kaluar, duke e ndarë atë nga Podgorica.